Një ish-prezantues emisionesh për fëmijë në Angli i njohur me emrin e artit Des është burgosur pasi akuzohet për përdhunim.
Sipas Mirror, Paul Ballard, i cili drejtoi emisionin për fëmijë të viteve ’90 ‘Diggit’ së bashku me Fearne Cotton, u shpall fajtor në të gjitha akuzat në Chelmsford Crown Court më 30 korrik pasi mohoi fillimisht përdhunimin, tentativën e përdhunimit, sulmin, dëmtimin kriminal dhe kërcënimet për vrasje. Sot, ai u dënua me 10 vjet pas hekurave në të njëjtën gjykatë.
Ballard, nga Woodland Way, Theydon Bois, nisi një sulm ndaj viktimës së tij femër menjëherë pas orës 5 të mëngjesit më 19 shtator 2020, në një hotel në Hatfield Heath. Gjatë incidentit, 39-vjeçari i tha viktimës: “Jeta jote po merr fund. Ti po vdes sonte“. Sidoqoftë, viktima iku me guxim nga dhoma dhe gjeti një anëtar të stafit të hotelit, i cili më pas thirri policinë.
Ballard kishte pohuar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me gruan dhe mohoi se e kishte kërcënuar. Por juria e shpalli atë fajtor për të gjitha pikat.
Ish-ylli televiziv, ishte nën hetim për vrasjen e dy personave pasi i përplasi për vdekje me makinë. Ai kishte marrë një sasi të konsiderueshme kokaine dhe po ngiste makinën me djalin e tij, i cili ishte 12 vjeç në atë kohë, në sediljen e pasagjerit në VW Golf. Viktimat u shpallën të vdekur pas përplasjes në Squirrels Heath Road, Romford, Essex, rreth orës 2 pasdite më 20 shkurt 2020.