Aplikacioni më i ri Thread është kthyer në mollë sherri mes dy njerëzve më të fuqishëm të botës në fushën e teknologjisë, Mark Zuckerberg dhe Elon Musk.
Twitter i Musk po shqyrton mundësinë për njw padi ligjore ndaj kompanisë Meta tw Mark Zuckerberg, pas lëshimit të aplikacionit rival, Threads.
Threads, që u hap për përdorim publik gjatë kësaj jave, është i ngjashëm me Twitterin dhe nga Meta është vlerësuar si një alternativë miqësore ndaj Twitter-it. Ndërsa Twitter ka pranuar konkurencën por ka thënë se mashtrimi është i papranueshëm.
Avokati i Twitterit akuzoi Mark Zuckerberg dhe kompaninë e tij Meta për keqpërdorim sistematik, të qëllimshëm dhe të paligjshëm të sekreteve tregtare të Twitter-it për të krijuar Threads.
Ai pretendon gjithashtu se Meta ka punësuar dhjetëra ish-punonjës të Twitter-it të cilët kishin vazhduar të kishin qasje në sekretet e Twitter-it dhe informacioneve të tjera konfidenciale që ndihmuan Meta-n të krijonte aplikacionn e ri.
Threads që nga pamja është i ngjashëm me Twitter-in, dhe gjithashtu ka veçori të ngjashme me aplikacionin që është në pronësi të Musk, mblodhi rreth 30 milionë përdorues që në ditën e parë të lansimit të tij.
Shifrat e larta të përdoruesve janë shënuar pavarësisht se aplikacioni është shtyrë për përdorim në Bashkimin Evropian, teksa janë ngritur pikëpyetje nëse aplikacioni do t’i respektojë rregullat e ashpra të unionit për privatësinë e të dhënave.