
Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se shtetet “duhet të jenë të përgatitura për mundësinë e rikthimit” të koronavirusit, teksa në Europë vazhdon të rihapet dhe Kina po përballet me shpërthim të ri, që ka nxitur mbylljen e disa pjesëve të Pekinit.
Paralajmërimet për marrje të masave, me qëllim të luftimit të këtij virusi, kanë ardhur pasi Kina ka rritur numrin e testimeve dhe ka izoluar disa pjesë të kryeqytetit të saj, me qëllim të kontrollimit të shpërthimit të ri, pas shqetësimeve se kjo mund të jetë vala e dytë e sëmundjes, Covid-19 që shkakton ky virus.
Në gjithë Pekinin, 29 ndërtesa janë vënë nën “menaxhim të mbyllur”, pasi të gjitha pikat e hyrjes janë duke u kontrolluar dhe janë vendosur rregulla të ashpra në lëvizje.
Prej 12 qershorit janë regjistruar 106 raste të reja të të infektuarve në Pekin, të cilat duket se e kanë marrë virusin në një treg ushqimor.