Tërheqja amerikane nga Afganistani mund të dëmtojë imazhin e saj në botë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Tërheqja amerikane nga Afganistani mund të dëmtojë imazhin e saj në botë

Shtetet e Bashkuara po dislokojnë rreth 3,000 trupa për të ndihmuar në evakuimin e shumicës së diplomatëve të tyre nga ambasada në Kabul. Ekspertët thonë se tërheqja e Uashingtonit nga Afganistani pas 20 vitesh luftë, mund të ketë një ndikim të pashlyeshëm në mënyrën se si do të shihet Amerika në arenën ndërkombëtare. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, sjell më shumë hollësi.

Ndërsa talebanët marrin qytetet krysore afgane si Herati dhe Kandahari, si dhe avancojnë në provinca dhe zona të tjera çdo ditë, zyrtarët amerikanë po e pranojnë se nuk e dinë se si do të rrjedhë situata.

Një eksperte i tha Zërit të Amerikës se dërgimi i trupave nga Shtetet e Bashkuara për të evakuuar ambasadën nuk është rezultati që dikush do të kishte dashur.

“Për mua, kjo tregon dështimin nga ana e agjencive të zbulimit për të parashikuar aftësitë e talebanëve për të bërë përparime në të gjithë vendin. Unë nuk mendoj se, nëse Uashingtoni do ta dinte se si do të ishin zhvillimet javën e kaluar, ne do të kishim ende 1,400 amerikanë në ambasadë në pritje të evakuimit”, thotë ekspertja Elizabeth Threlkeld me Qendrën Stimson.

Advertisement

Ndërsa talebanët përparojnë, tërheqja e papritur diplomatike amerikane nga Kabuli dërgon një sinjal të pagabueshëm, thonë disa ekspertë për Zërin e Amerikës. Ata thonë se ky nuk është sinjali që Uashingtoni do të dëshironte të dërgonte.

“Fakti që Shtetet e Bashkuara tani po evakuojnë një personel diplomatik kaq të madh – mendoj se do të dërgojë një mesazh shumë të fuqishëm, jo vetëm brenda Afganistanit, por edhe në botë, se Amerika po largohet, se në thelb po heq dorë. Sigurisht që për rivalët amerikanë kjo do të shihet si një shenjë dobësie”¸thotë Michael Kugelman me Qendrën Wilson.

Ekspertë të tjerë thonë se Uashingtoni ka qenë gjithmonë i kujdesshëm në mbrojtjen e diplomatëve të saj.

“Mendoj se mesazhi kryesor është se Shtetet e Bashkuara do të kujdesen për njerëzit e tyre, për diplomatët e tyre. Uashingtoni do të përpiqet të bëjë sa mundet për ata që shërbyen si përkthyes, por në thelb Shtetet e Bashkuara po largohen. Presidenti Biden ishte mjaft i qartë në lidhje me këtë kur u pyet disa ditë më parë, gjë që të lë të kuptosh se duket mjaft e pamundur që ai ta rishikojë vendimin për tërheqjen e trupave”, thotë Brian Katulis me Qendrën për Përparimin Amerikan.

Advertisement

Presidenti Biden ka thënë vazhdimisht se nuk ka zgjidhje ushtarake për luftën 20 vjeçare në Afganistan dhe ka theksuar se përveç mijëra jetëve amerikane të humbura, Uashingtoni shpenzoi më shumë se 1 trilion dollarë për pajisjen dhe trajnimin e ushtrisë afgane.

Ndërsa gratë dhe fëmijët e zhvendosur kërkuan strehim në një kamp në Kandahar, para se qyteti të binte në duart e talebanëve, një ekspert tjetër i tha Zërit të Amerikës se, në periudhën afatshkurtër, marrja e Afganistanit nga talebanët do të zbehte imazhin amerikan si mbrojtës i të drejtave të njeriut jashtë vendit.

“Nëse talebanët janë të suksesshëm në marrjen e vendit nën kontroll dhe vendosjen e të njëjtit regjim që jemi mësuar të shohim prej tyre, kjo do të dëmtojë pozitën e Shteteve të Bashkuara si mbrojtëse globale dhe avancuese e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të grave”, thotë Jonathan Schroden me organizatën hulumtuese CNA.

Disa ekspertë druhen se talebanët tani janë shumë pranë Kabulit dhe se kryeqyteti afgan mund të bjerë më shpejt se sa ç’ishte parashikuar.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy