Si asnjëherë më parë, pothuajse e gjithë shoqëria shqiptare po diskuton mbi Teatrin Kombëtar, në fakt duhet thënë mbi godinën e shembur të këtij teatri, i cili rrok një sërë paradoksesh; s’ka nisur si teatër por është bitisur i tillë, si dhe kurrë, as zyrtarisht e as emocionalisht, s’ka qenë prej atyre ndërtesave-shenjë e trashëgimisë së qendrës së kryeqytetit. Kjo, pasi italianët s’e ndërtuan për të qenë e tillë. Për këtë mjafton pseja e ndërtimit.
Por tashmë, debati, që në fakt duhej te që vetëm nostalgjik – as trashëgimor, as arkitekturor, as inxhinierik, aq më pak atdhetar – është bërë i tëri politik. E si nostalgjik, u takonte vetëm pjesëtarëve të komunitetit artistik të atyshëm, askujt tjetër.
Paradoksi tjetër te këta të fundit, është se të vjetrën e kërkojnë të rinj e të renë e kërkojnë të vjetër. Pra, një mishmash qëndrimesh, që reflekton dhe mishmashin shqiptar në përgjithësi.
Por le të relaksohemi për momentin dhe të hedhim sytë jo të godina por te shpirtërat e saj, të ata emra që i dhanë jetë asaj karakatine. Kush prej tyre qe më madhi?
Pra, kë ka të madh arti aktoresk shqiptar, që nga fillimet e gjer më sot? Sigurisht janë shumë emra që qarkojnë rreth kësaj pozite, ku më të lehtët që mund të vijnë ndërmend janë ato të Kadri Roshit, Sandër Prosit, Sulejman Pitarkës, Robert Ndrenikës e të ngjashmëve me ta, pra atyre ikonave që janë skalitur në memorien e çdokujt që e ka shijuar lojën e tyre, pa u vënë kurrë në diskutim.
Ndërkohë, si më të madhin, falë një vokacioni të famës ndërkombëtare, ne mbajmë Aleksandër Moisiun, por ja që ai nuk ka luajtur në skena shqiptare.
Për kriteret e përzgjedhjes së më të mirit, më të madhit, le t’i kërkojmë ndihmë futbollit. Më i madhi në të do konsiderohej padyshim ai lojtar që do luante në të gjitha pozicionet, përfshirë dhe të qënit portier, e në të gjitha pra do qe i suksesshëm.
Dhe të vetmit emra që plotësojnë këtë kriter në artin e aktrimit shqiptar janë dy: Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi.
Që të dy kanë luajtur si dramën e si komedinë e të gjitha gjinitë ndërmjetëse, si personazhet pozitive e si negative, e po ashtu, janë të vetmit që kanë luajtur dhe pantomimën; Ndrenika te “Odiseja e Tifozëve” e Kabashi Eremitin te “Kohë e Largët”, pra personazhe pa tekst, vetëm me lojë plastike.
Pos kësaj, gama e personazheve të tyre përfshinë tipilogji nga më ekstremet. Kujtojmë këtu Ndrenikën, i cili ka realizuar brenda një kohe të shkurtër Prefektin te “Koncert në Vitin ’36” e lypësin te “Mësonjëtorja”, një prej monumenteve të aktrimit.
E megjithatë, Mirush Kabashi ka një avantazh karshi Robert Ndrenikës: monologun po ashtu monumental te “Apologjia e Sokratit” si monodramë, si dhe faktin e të qënit një ndër recituesit më virtuozë.
Këto rekorde të Mirush Kabashit, s’i ka arritur asnjë aktor deri më sot, por Ndrenika, si në shumë role që kanë luajtur bashkë, i qëndron në krah në qënit numër 1-shi i aktrimit shqiptar, duke qenë pra 2.(Tesheshi)