Të paktën 40 persona, shumica nxënës, janë vrarë në një shkollë në perëndim të Ugandës nga rebelët të lidhur me grupin militant, Shteti Islamik.
Edhe tetë persona janë në gjendje kritike, pas sulmit në shkollën e mes Lubiria në Mpondve.
Policia tha se sulmi i së premtes është kryer nga Forcat Aleate Demokratike (ADF) – një grup ugandez me seli në Republikën Demokratike të Kongos.
Autoritetet njoftuan se ushtria është duke ndjekur pjesëtarët e grupit të cilët kanë ikur drejt parkut kombëtar, Virunga.
“Deri më tani, 25 trupa janë nxjerrë nga shkolla dhe janë transferuar në një spital”, tha zëdhënësi i policisë, Fred Enanga, përmes një deklarate të publikuar të shtunën.
Mbi 60 nxënës, po vijonin mësimin në këtë shkollë. Shumica prej tyre jetonin në konviktet e shkollës.
Një konvikt në këtë shkollë u dogj dhe një dyqan ushqimor u plaçkit gjatë sulmit të së premtes mbrëma, shtoi ai.
Sulmuesit po ashtu besohet se kanë shpërthyer eksplozivë në këtë rajon.
Dhjetëra persona dyshohet se janë rrëmbyer, teksa një numër studentësh po konsiderohen të zhdukur.
“Forcat tona po ndjekin armikun për të shpëtuar të rrëmbyerit dhe për të shkatërruar këtë grup”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Felix Kulayigye.
Sulmuesit kanë ikur drejt parkut kombëtar Virunga, që është parku më i vjetër dhe më i madh në Afrikë, shtëpi e specieve të rralla, përfshirë edhe gorilla.
Milicitë, përfshirë edhe ADF-në përdorin zonat e mëdha në afërsi të kufirit të Ugandës dhe Ruandës, për t’u fshehur.
Edhe në të kaluarën ka pasur sulme ndaj shkollave në Ugandë që gjenden pranë kufirit me Kongon.
Në qershor të vitit 1998, 80 studentë u dogjën në konviktet e tyre gjatë një sulmi të ADF-së në një institut teknik.
ADF-ja është krijuar në lindje të Ugandës në vitet ’90 dhe ka luftuar kundër presidentit Yoweri Museveni, duke pretenduar se Qeveria po persekuton myslimanët.
Pasi u mposht nga ushtria ugandeze më 2001, ky grup u rivendos në provincën Kivu në Kongo./R.E.L