Kryengritësit talebanë pushtuan edhe qytetin e dytë më të madh afgan, Kandaharin, zemra ekonomike e jugut të Afganistanit. Herati në perëndim të vendit, pranë kufirit me Iranin, ra gjithashtu në duart e grupit ekstremist. Alarmi për dorëzimin e kryeqytetit brenda pak ditësh është gjithnjë e më i fortë. Presidenti Ashraf Ghani iu drejtuar kombit në daljen e tij të parë qëkurëse nisi dorëzimi i pushtetit, duke siguruar se do të rimobilizojë forcat e sigurisë kombëtare.
ASHRAF GHANI
PRESIDENT, AFGANISTAN
Advertisement“E kuptoj shqetësimin që keni për të ardhmen por si presidenti juaj ju siguroj se nuk do të lejoj që kjo luftë të marrë më shumë jetë njerëzish dhe të hedhë poshtë të gjitha arritjet e këtyre 20 viteve të fundit. Jemi në bisedime intensive me partnerët ndërkombëtarë.”
Pentagoni po dërgon edhe 5,000 trupa shtesë në bazat amerikane në dy vende të Gjirit Persik, Katar dhe Kuvajt. 1,000 trupa po dërgohen në Kuvajt për të mbështetur operacionet për nxjerrjen e vizave për përkthyesit afganë dhe të tjerë që kanë ndihmuar amerikanët në të kaluarën.
Ndërsa Kanadaja do të pranojë deri në 20,000 refugjatë afganë, ndër ta gra që kanë luajtur role publike, punonjës të strukturave qeveritare, gazetarë dhe të tjerë që ndeshen me rrezik përballë talebanëve. Gjermania, Spanja, Danimarka, Holanda dhe disa vende të tjera bënë të ditur se po tërheqin personelin e tyre diplomatik.
Nga ana tjetër, Agjencia për kufijt e Bashkimit Europian, Frontex po përgatitet ti bëjë ballë një fluksi të ri të migrantëve nga Afganistani. Ndërkaq, shefi i organizatës së kombeve të bashkuara, Antonio Guterres ka deklaruar se sulmet ndaj civilëve janë shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të ngjashme me krimet e luftës.