Në një fjalim televiziv, teksa shqetësimet për të ardhmen e Afganistanit po rriten, presidenti Ashraf Ghani tha se nuk do të heqë dorë nga arritjet që janë bërë 20 vitet e fundit, pasi SHBA largoi talebanët.

Kjo ishte dalja e tij e parë publike ndërsa talebanët po përparojnë duke marrë në kontroll territore të shumta si dhe duke u afruar drejt kryeqytetit të vendit, Kabulit.

“Unë e di që jeni të shqetësuar për të tashmen dhe të ardhmen tuaj. Ju siguroj se si presidenti juaj, fokusi im është të parandaloj paqëndrueshmërinë, dhunën dhe shpërnguljen e mëtejshme të njerëzve tanë. Është përgjegjësia ime historike dhe unë po përpiqem të parandaloj këtë luftë të imponuar që po sjell vrasjen e njerëzve të pafajshëm, humbjen e arritjeve tuaja në 20 vitet e fundit”, tha presidenti afgan Ashraf Ghani.

Mesazhi televiziv erdhi në një kohë kur në Kabul ishin shtuar zërat se zoti Ghani do të njoftonte dorëheqjen e tij dhe do të lejonte talebanët të hynin në kryeqytetin e vendit dhe më pas grupi militant do të njoftonte armëpushimin.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Sidoqoftë, presidenti afgan tha se ai do të vazhdonte të konsultohej me lojtarë të rëndësishëm brenda Afganistanit dhe ndërkombëtarisht.

Talebanët prej kohësh kanë kërkuar dorëheqjen e presidenti Ashraf Ghani, duke thënë se dorëheqja e tij është një kusht për t’i dhënë fund konfliktit.

“Nëse një kandidat i pranueshëm për të dyja palët do të emërohej për të zëvendësuar Ghanin, kryengritësit do të ishin të gatshëm të lëshonin armët”, tha një zëdhënës i talebanëve për Associated Press në fund të muajit korrik. Kjo ishte thirrja e dytë nga talebanët për dorëheqjen e Ghanit, që kur filluan negociatat e paqes me qeverinë në shtator të vitit 2020.

Në janar të vitit 2021 një negociator kryesor taleban tha se Ghani ishte “pengesa e vetme” për një marrëveshje të suksesshme sepse talebanët besojnë se fitorja e tij në zgjedhjet e vitit 2019 erdhi nëpërmjet manipulimeve.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Presidenti afgan historikisht ka pasur mbështetje të fortë nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Në një letër që doli në media në muajin mars të këtij viti, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken i kërkoi Ghanit të binte dakord për një proces paqeje me talebanët që do të shpërbënte qeverinë afgane dhe madje do të çonte në largimin e tij nga pushteti.

Sipas një analize nga agjencia e lajmeve Associated Press, dorëheqja e Ghanit mund të jetë shansi më i mirë i Afganistanit për një paqe të qëndrueshme.

Që nga viti 1989, në 31 vende grupet e armatosura arritën marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse me qeverinë. Në 16 prej këtyre vendeve, përfshirë Kamboxhian, Afrikën e Jugut dhe Sudanin u bë një marrëveshje për ndarjen e pushtetit.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Analistët thonë se dorëheqeja e një udhëheqësi dhe ndarja e pushteteve mes palëve është një recetë e mirë për paqen./ VOA