Të paktën pesë persona, anëtarë të personelit amerikan u plagosën pas sulmit në një bazë ushtarake në Irak, kanë thënë zyrtarët amerikanë, mes tensioneve në rritje pas vrasjes javën e kaluar të anëtarëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut.
Dy raketa u hodhën në bazën ajrore Ain al-Assad në Irakun perëndimor të hënën, thanë dy burime irakiane të sigurisë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Një nga burimet irakiane tha se raketat ranë brenda bazës. Ishte e paqartë nëse sulmi ishte i lidhur me kërcënimet e Iranit për t’u hakmarrë për vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh.
Zyrtarët amerikanë, të cilët folën për Reuters në kushte anonimiteti, thanë se njëri nga amerikanët ishte plagosur rëndë. Ndërkohë, agjencia e lajmeve Associated Press, duke cituar zyrtarë të mbrojtjes amerikane, tha se shtatë ushtarakë dhe civilë u lënduan.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti dhe zëvendëspresidenti ishin informuar për sulmin.
“Personeli i bazës po kryen një vlerësim të dëmeve pas sulmit”, tha një nga zyrtarët për Reuters.
Haniyeh, udhëheqësi politik i grupit palestinez Hamas, u vra në kryeqytetin iranian Teheran javën e kaluar, një sulm që solli kërcënimet për hakmarrje nga Irani. Irani ka fajësuar Izraelin për vrasjen, por Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë.
Një sulm izraelit në Bejrut javën e kaluar vrau gjithashtu Fuad Shukir, komandantin e lartë të grupit libanez Hezbollah.
Irani ka thënë se SHBA është përgjegjëse për vrasjen e Haniyeh për shkak të mbështetjes së saj për Izraelin./vizionplus.tv