Një Komision i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin 6 janarit në Kapitol u ka dërguar kërkesa ligjore për të dhënë dëshmi katër këshilltarëve dhe bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Donald Trump, të cilët ishin në kontakt me të para dhe gjatë sulmit.
Komisioni u ka dërguar kërkesa zyrtare ish-shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows, ish -zëvendës shefit të personelit tëShtëpisë së Bardhë për komunikim,Dan Scavino, ish -zyrtarin e Departamentit të Mbrojtjes, Kashyap Patel dhe ish -këshilltarin e ish-presidentit Trump, Steve Bannon.
Kryetari i Komisionit, ligjvënësi demokrat Bennie Thompson, në letrën dërguar katër ish-zyrtarëve, shkruante se komisioni po heton “faktet, rrethanat dhe shkaqet” e sulmit dhe u kërkoi atyre të prodhonin dokumente dhe të paraqiteshin për të dëshmuar në mes të tetorit.
Kërkesat për paraqitje të detyrueshme janë një përshkallëzim domethënës për Komisionin, i cili planifikon të nisë fazën e marrjes së dëshmitarëve në pyetje pas shqyrtimit të mijëra dokumenteve që ka marrë nga agjencitë federale dhe kompanitë e mediave sociale. Qëllimi i tyre është të sigurohet një pasqyrë e plotë e asaj që ndodhi, kur mbështetësit e zotit Trump sulmuan policinë dhe ndërprenë përkohësisht çertifikimin e fitores së Presidentit Joe Biden, dhe për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të këtij lloji në të ardhmen.
Qindra mbështetës të ish-presidentit Trump hynë me dhunë në Kapitol më 6 janar dhe u përpoqën të përmbysnin humbjen e tij, duke ndërprerë përkohësisht çertifikimin e fitores së Presidentit Joe Biden./VOA