Dhjetëra persona u vranë nga një sulm ndaj një autobusi me pjesëtarë të sigurisë së qeverisë siriane në Deir al-Zor të Sirisë.

Nuk ka informacione më të detajuara të incidentit që ndodhi në një zonë ku janë vendosur kryesisht ushtria siriane dhe milicitë e mbështetura nga Irani, pranë qytetit antik të Palmyra.

Agjencia AFP raporton se militantët e grupit Shteti Islamik (IS) vranë 37 ushtarë pasi i zunë pritën autobusit me të cilin po udhëtonin. Ky vlerësohet të jetë një nga sulmet më vdekjeprurëse që nga mposhtja e Shtetit Islamik vitin e kaluar, tha Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë që monitoron konfliktin në Siri.

Organizata tha se sulmi shënjestroi ushtarët e regjimit, ndërsa ata po udhëtonin në shtëpi për pushime. Agjencia zyrtare e lajmeve Sana raportoi se një “sulm terrorist” ndaj një autobusi vrau “25 qytetarë” dhe plagosi 13 të tjerë.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

IS pushtoi pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut dhe shpalli një “kalifat” ndërkufitar më 2014. Grupi u mposht në Siri në mars të vitit të kaluar, por qelizat e tij vazhdojnë të kryejnë sulme, përkatësisht në shkretëtirën e gjerë që shtrihet nga provinca qendrore e Homs deri në Deir Ezzor dhe kufirin me Irakun.

“Ky ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse që nga rënia e IS-it vitin e kaluar”, tha kreu i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman, për AFP.

Rahman tha se autobusi u sulmua afër fshatit Shula nga xhihadistët të cilët shpërthyen bomba buzë rrugës përpara se të hapnin zjarr ndaj ushtarëve që i përkisnin divizionit të 4-të të ushtrisë. Dy autobusë të tjerë që ishin pjesë e autokolonës arritën të shpëtonin, tha organizata. Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Në dhjetor të vitit 2017, kryeministri i atëhershëm i Irakut, Haider al-Abadi shpalli fitoren përfundimtare kundër IS-it. Grupi humbi territorin e fundit të të ashtuquajturit kalifat të tyre në Siri në mars të vitit 2019.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Në muajt e fundit shkretëtira Badia e Sirisë ishte arenë e përplasjeve të rregullta midis xhihadistëve dhe forcave të regjimit sirian të mbështetur nga Rusia.

Në prill, 27 luftëtarë besnikë të qeverisë së Damaskut dhe milicë aleatë të mbështetur nga Irani u vranë në një sulm të IS-it pranë qytetit Al-Sukhna i cili është nën kontrollin e regjimit.

Lufta në Siri ka lënë të vrarë më shumë se 387,000 njerëz që kur filloi më 2011./ REL

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";