Prokurorët suedezë besojnë se mund t`i japin fund misterit që rrethon vrasjen e kryeministrit Olof Palme në 1986-tën. Ata besojnë tani se e dinë kush ishte autori I ngjarjes tronditëse, por shtojnë se i dyshuari ka vdekur. Ky I fundit është identifikuar si Stig Engstrom, i njohur gjithashtu si ” Skandia Man”.
Kaq të bindur janë se Engstrom është personi që tërhoqi këmbëzën, sa deklaruan se po e mbyllin më në fund hetimin për vdekjen e Palmes. Kryeministri u qëllua në shpinë teksa po kthehej nga kinemaja në shtëpi me bashkëshorten e tij, Lisbet në Stokholm.
Më herët gjatë ditës, ai vetë I kishte larguar rojet e sigurisë. Atentati ndodhi në rrugën më të ngarkuar të vendit dhe mbi një duzinë dëshmitarësh panë një burrë të gjatë të qëllonte përpara se të largohej nga vendngjarja. Mijëra vetë u morën në pyetje për këtë vdekje. Një kriminel I rëndomtë u dënua për të, por akuza ndaj tij më vonë u rrëzua si e pabazë. Stig Engstrom u bë i njohur si Skandia Man pasi ai kishte punuar për kompaninë e sigurimeve Skandia.
Ai pat punuar deri vonë mbrëmjen e vrasjes, dhe firma e tij I kishte zyrat aty pranë. Engstrom ishte një nga 20 personat që dëshmuan atentatin, e kishte pretenduar se gjoja qe përpjekur t`i jepte Palmes ndihmën e parë.
Skandia Man vrau veten në vitin 2000. Ai u identifikua fillimisht si i dyshuar nga gazetari Thomas Pettersson, dhe vetëm 18 vjet pasi kishte ndërruar jetë, policia nisi të hetonte e tani po thuhet se burri e kishte vrarë Palmen për shkak të pikëpamjeve të tij të majta.