Në fillim u kritikua fort për qëndrimin që mbajti ndaj pandemisë, por duket se zgjedhja që bëri Suedia ka shmangur valën e dytë të koronavirusit. Këtë e thotë epidemiologu Anders Tegnell, i cili beson se ngurrimi i Suedisë për të ndryshuar vazhdimisht rregullat gjatë pandemisë mund ta ketë ndihmuar atë të mposhtë pandeminë.
Ai shpjegoi se suedezët mund të kenë fituar imunitetin e tufës. Tegnell tha se ndryshimi është i dukshëm nëse Suedia krahasohet me Spanjën e Britaninë e Madhe, që kanë ndryshuar herëpashere rregullat.
“ Unë mendoj se ndryshimi kryesor midis Suedisë dhe shumë vendeve të tjera është se ne kemi pasur të njëjtin lloj kufizimi dhe rekomandimi të vendosura gjatë gjithë kohës. Dhe qytetarët i respektojnë maksimalisht ato rekomandime. Dhe kjo bën një ndryshim, ne shpresojmë që të jemi më pak të ndjeshëm ndaj një vale të dytë.”
Dr. Tegnell tha se kufizimet duhej të ishin sa më minimale që të ishte e mundur në mënyrë që ato të zbatoheshin për një periudhë të qëndrueshme kohore. Sipas epidemiologut suedez, të vendosësh masa shumë të rrepta në fillim dhe më pas t’i heqësh, sjell më shumë dëm sesa dobi.
Në kohën kur të gjithë u mbyllën, Suedia mbajti hapur thuajse gjithçka, përfshirë shkollat, baret, restorantet dhe palestrat. Momentalisht, Suedia ka në fuqi vetëm rregullin që ndalon grumbullimet e më shumë se 50 njerëzve.
The post Suedia mund të ketë shmangur valën e dytë të koronavirusit duke mos ndryshuar rregullat appeared first on Vizion Plus.