Dy studiues në Kanada thonë se marrja e dozës së dytë të vaksinës anti-COVID e kompanisë Pfizer mund të shtyhet në mënyrë që të vaksinohen të gjitha grupet që kanë prioritet, duke shtuar se doza e parë garanton mbrojtje të madhe nga virusi. Mendimet e tyre u botuan në një revistë mjekësore.
Vaksina kishte një efikasitet prej 92.6% pas marrjes së dozës së parë, thanë Danuta Skowronski dhe Gaston De Serres, bazuar në një analizë dokumentesh të paraqitura nga prodhuesi i ilaçeve tek Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Ekspertët thonë se këto zbulime ishin të ngjashme me efikasitetin që ofron doza e parë e vaksinës Moderna prej 92.1%.
Në përgjigjen e tij, kompania Pfizer tha se regjimet alternative mbi sasinë e dozave të vaksinës nuk ishin vlerësuar ende dhe se vendimi u takonte autoriteteve shëndetësore.
Disa vende, duke u ndeshur me sasi të vogla të vaksinave po shikojnë mundësitë për të ndryshuar sasinë e dozave.
Por strategji të tilla shihen ndryshe nga ekspertë të ndryshëm. Disa argumentojnë se urgjenca që paraqet pandemia kërkon fleksibilitet, ndërsa të tjerë kundërshtojnë braktisjen e qasjeve të drejtuara nga të provar klinike.
Studiuesit Skowronski dhe De Serres paralajmëruan se nuk është e sigurt se sa kohë zgjat mbrojtja pas marrjes së një doze të vetme, por thanë se administrimi i dozës së dytë një muaj pas së parës siguron “pak përfitim në afatin e shkurtër”.
Skowronski punon për Qendrën e Kontrollit të Sëmundjeve në British Columbia ndërsa De Serres në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kebek.
Në Britani, autoritetet kanë thënë se të dhënat mbështesin vendimin e saj për të kaluar tek një cikël prej 12-javësh nga doza në dozë për vaksinën Pfizer-it. Por si Pfizer ashtu edhe partneri i saj BioNTech kanë paralajmëruar se nuk kanë prova për ta mbështetur këtë vendim.
Vaksina e Pfizerit është autorizuar të merret me një diferencë prej 21 ditësh nga doza në dozë.
FDA-ja dhe agjencia evropiane e ilaçeve sugjerojnë intervalin e testuar në prova./ VOA