Gjykata e Apelit në Firenze ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit, duke lënë të lirë italianët Alessandro Albertoni e Luca Vanneschi që pas përdhunimit lanë të vdekur 23-vjeçaren Martina Rossi.
Më 3 gusht 2011 studentja ra nga ballkoni i ndërtesës ku po qëndronte me pushime në Palma di Maiorca, në Spanjë, teksa tentonte të shpëtonte nga tentativa e përdhunimit, u tha në dosjen e akuzës. Në dhjetor 2018 gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar dy të akuzuarit me gjashtë vjet burg.
Albertoni e Vanneschi u liruan për mungesë të provave për akuzën e dhunës seksuale në grup dhe të vdekjes si pasojë e saj. “Nuk ka më asgjë, Martina nuk është më dhe as drejtësia nuk është më”, tha babai i viktimës Bruno Rossi, pas dhënies së vendimit.
Nëna e saj Franca, tha: “Drejtësia italiane ka ndërprerë punën e bërë më parë. Ky vendim shkel nderin e Martinës, kërkon të tregojë se u hodh vetë nga ballkoni”.