Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përjashtoi të dielën mundësinë e dërgimit të forcave të NATO-s në Ukrainë, qëndrim i cili u konfirmua edhe nga zyrtarët britanikë. Në të njëjtën ditë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se Moska po i kërkon NATO-s dhe OSBE-së shpjegime se si synojnë t’i zbatojnë angazhimet e ndërmarra për sigurinë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të dielën se aleanca nuk ka ndërmend të dislokojë forca në Ukrainë në rast të një ndërhyrjeje ruse.
“Ukraina nuk është vend i NATO-s dhe garancia prej 100% se një sulm ndaj njërit prej aleatëve do të marrë një përgjigje nga e gjithë aleanca, vlen për vendet e NATO-s, dhe jo vendet partnere”.
Megjithatë zoti Stoltenberg tha se aleanca e ndihmon Ukrainën me ngritjen e kapaciteteve, modernizimin e mbrojtjes së tyre, përfshirë edhe mbrojtjen kibernetike.
“Vendet e NATO-s gjithashtu ofrojnë paisje, armë mbrojtëse, siç ka ofruar p.sh. tani Britania armë kundra-tank. Pra, ne bëjmë shumë gjëra për ta ndihmuar Ukrainën që të forcojë aftësitë mbrojtëse”, tha ai.
Edhe Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, i tha BBC-së se nuk ka shumë gjasa që ushtarët britanikë të dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase. Megjithatë, ajo shtoi se:
“Mendojmë se ka shumë të ngjarë që Putini kërkon ta pushtojë Ukrainën, prandaj po bëjmë çfarë mundemi nëpërmjet masave parandaluese dhe diplomacisë për ta bindur të heqë dorë”.
Advertisementgoogle_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";
Edhe Kryeministri britanik Boris Johnson shkruajti në Twitter pasi u informua për situatën nga shefat e shtabit britanik, se
“Situata është gjithnjë e më shqetësuese. Vazhdoj t’i bëj thirrje Rusisë të angazhohet në negociata dhe të shmangë pushtimin e papërgjegjshëm dhe katastrofik”.
Zoti Stoltenberg shprehu gjithashtu shqetësimin për situatën e energjisë në Evropë dhe varësinë nga gazi rus.
“Jemi të shqetësuar nga situata energjitike në Evropë pasi dëshmon për rrezikun e të qenit të ndërvarur nga vetëm një furnizues i gazit natyror. Kjo është arsyeja pse vendet e NATO-s bien dakort se duhet të punojmë dhe të përqëndrohemi për një diversifikim të burimeve”, tha në kanalin BBC zoti Stoltenberg.
Ndërkohë Rusia po i kërkon NATO-s të qartësojë nëse synon të zbatojë angazhimet kryesore për sigurinë, tha të dielën Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, pasi Moska deklaroi se përgjigja e NATO-s ndaj kërkesave të saj nuk ishte e mjaftueshme.
“Nëpërmjet Ministrisë së Jashtme po u dërgojmë sot një kërkesë zyrtare kolegëve tanë në NATO dhe OSBE, duke u kërkuar të shpjegojnë se si synojnë të zbatojnë angazhimin e tyre për të mos forcuar sigurinë e tyre në kurriz të sigurisë së vendeve të tjera”, tha në televizionin shtetëror zoti Lavrov.
Duke grumbulluar mbi 100 mijë forca pranë kufirit me Ukrainën, Rusia e ka detyruar NATO-n, aleancën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, si dhe OSBE-në, e cila ka 57 vende anëtare, që të negociojnë për sigurinë rajonale./VOA