Standartet afrikane, të atyre që kërkojnë zgjedhje norvegjeze

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Standartet afrikane, të atyre që kërkojnë zgjedhje norvegjeze

Nga Skënder Minxhozi

Flasin sikur janë vetëm në tavolinë. Kërkojnë sikur vetëm ata kanë të drejtë. E konsiderojnë të shenjtë çdo propozim që ju shkrep ndërmend në një moment të caktuar, por gjithaq të shenjtë edhe variantin tjetër, që shkon kundër propozimit të parë, që e kanë bërë po ata vetë.

Kjo është ajo çfarë kemi parë këto muaj mes pozitës e opozitës, në negociatën e gjatë për të reformuar procesin zgjedhor në Shqipëri.

Në fakt fjala negociatë presupozon dakordësi e lëshime dyanëshe. Të jap diçka, të lëshoj diku, që të pranosh diçka tjetër që unë kërkoj. Ky është mekanizmi bazë, filozofia e një negociate. Por jo në rastin konkret.

Advertisement

Kërkuan qeveri teknike, megjithëse kur qeverisnin prej tetë vjetësh, në 2013, edhe kur u ranë numrat në parlament, jo që s’pranuan qeveri teknikësh, por morën tre deputetët socialistë, vetëm e vetëm që të mbanin në këmbë ekzekutivin Berisha në prag të zgjedhjeve. E justifikojnë qeverinë teknike me precedentin maqedon, ndërsa bëjnë sikur s’e dinë se Maqedonia fqinje është një rast i paprecedent në Evropë, pasi fituesi i zgjedhjeve Zaev u gjakos personalisht nga qeveria humbëse, fill pas fitores elektorale në prill 2017. Dhe maqedonët ngritën ekzekutivin teknik, me qëllim që humbësit e zgjedhjeve të mos rrahin më fituesit.

Kërkojnë që të mos depolitizohen komisionet e votimit, duke e quajtur këtë një tentativë të Ramës për të kapur e manipuluar zgjedhjet. Por refuzojnë ta quajnë këtë proces me emrin e vetëm që ka: rekomandim të hershëm dhe të përsëritur të OSBE-ODIHR!

Duan që një qeveri të mos ketë të drejtë as të investojë, as të ndërtojë, as të inaugurojë ndonjë projekt para zgjedhjeve, pasi konsiderohet manipulim fushate. Nuk kujtojnë shiritat e rrugëve që prisnin para zgjedhjeve që organizonin vetë, tunelet e objektet e tjera, mbi të cilat kompanitë e frikësuara shkruanin në mënyrë servile “ndërtuar nga Partia Demokratike”!

Në shtatë vjet opozitë, Basha dhe të tjerët rrotull tij i kanë besuar vetëm një teoreme: na kanë vjedhur votat! Kjo është “velenxa” e hollë me të cilën kanë kamufluar pazotësinë dhe rënien e elektoratit në kuotat më të ulëta që nga krijimi i PD 30 vjet më parë. Leximi i kësaj situate vetëm si një problem logjistik votash të vjedhura, ka shtyrë mënjanë aspektin politik të problemit që ka sot opozita. E që përmblidhet në elitën anemike dhe pa peshë që drejton sot dy partitë më të mëdha opozitare, si dhe refuzimin për të njohur e pranuar mëkatet e së shkuarës. Siç shkruante Jozefina Topalli për Bashën, “ja ndërronin ministrinë çdo vit, prej skandaleve që krijonte”.

Advertisement

PD ka një llogari të hapur me zgjedhjet. Jo PD-ja e kohës së Berishës, por PD-ja e Lulzim Bashës. Vitet ’90 shënuan vërtet rekorde të trishta në vjedhjen e dhunimin barbar të zgjedhjeve, për shkak të atyre që drejtonin PD e shtetin e asaj kohe. Nga ana e saj, dekada e fundit që sapo mbyllet, ka hisen e vet të rekordeve dëshpëruese, që lidhen me zgjedhjet. Nëse shumëkush në opozitë dhe mediat pranë, kapet sot pas përgjimeve të Dakos e Gjiknurit, nuk ka sesi të harrohen ngjarje të trishta dhe skandale të vërteta që lidhen me proceset elektorale.

Bën shumë mirë PD që kërkon proces normal zgjedhor, por jo larg nga momenti që jetojmë, 9 vite më parë, ndodhte që në janar vriteshin njerëz nga qeveria për shkak të një proteste dhe gjashtë muaj më pas ministri i brendshëm i asaj dite kandidohej për kryetar bashkie. Dhe kur ai i humbiste zgjedhjet e numëruara në sy të kamerave, hynte në lojë KQZ për të përmbysur hapur rezultatin. Sërish në sy të kamerave dhe shqiptarëve, që ndiqnin me ankth fundin e procesit. Pa folur për blerjet, sugjestionimin e dhunimin e votave, të cilën PD e LSI mund ta mohojnë sa të duan, por që është pjesë e historisë së tyre, kur qeverisnin vendin.

Është gjë shumë e mirë që PD kërkon sot një Komision Qëndror Zgjedhjesh të balancuar dhe larg influencave të qeverisë, por ka qenë kjo PD që në vitin e fundit të qeverisjes së vet, shtatë vjet më parë, e fuste vendin në zgjedhje, duke imponuar një formulë të dhunshme për KQZ, në raportin 4-0 me për qeverinë.

Të gjitha këto duken si shkelje e skandale të papranueshme, me kutin e sotëm. Shumë mirë që është kështu, e jo si më parë. Por është me vend t’i kujtohet sot një pale që kërkon standart norvegjez në zgjedhjet shqiptare, që kur “nusëroi” vetë, ofroi standarte afrikane zgjedhore për shqiptarët.

Advertisement

E gjitha kjo do të ishte thjesht histori dhe memorie arkivore, nëse opozita e sotme do ta kishte bërë disi mea culpa-n e saj për gjithë sa më sipër. Asgjë e tillë s’ka ndodhur. Quanin normale dje dhunimin e sistemit dhe procesit elektoral sipas interesit të vet, quajnë sërish sot normale kushtet që vendosin. Sërish sipas oreksit e llogarive të tyre elektorale. Qoshja është aty ku është Cezari. Tjetër punë se nuk ka asnjë Cezar në horizontin e opozitës shqiptare.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy