Ministri izraelit i Turizmit, Asaf Zamir dha dorëheqjen këtë të premte, në shenjë proteste, pas miratimit të ligjit të ri që synon të frenojë demonstratat kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Përmes një postimi në Facebook, ministri i Turizmit, Asaf Zamir tha se dekreti nuk i la më atij “asnjë pikë besimi” te udhëheqësi veteran.
“Ndërgjegjja ime nuk më lejon të qëndroj në një qeveri që parandalon protestat de facto. Edhe në kohën e tij më të vështirë, Netanyahu drejton vendin sipas interesit të tij politik”, shkroi Zamir.
Për muaj me radhë, Netanyahu është përballur me protesta të brendshme kundër trajtimit të tij të krizës së koronavirusit dhe mbi akuzat për korrupsion, të cilat ai i mohon.
Parlamenti miratoi të mërkurën një dekret të mbështetur nga qeveria që ndalon izraelitët të mbajnë demonstrata më shumë se 1 km nga shtëpitë e tyre, duke forcuar një bllokim të valës së dytë të koronavirusit, që hyri në fuqi në 18 shtator.
Qeveria tha se kishte për qëllim frenimin e infeksioneve COVID-19, por kritikët thanë se qëllimi i saj ishte të bllokonte protestat pranë rezidencës zyrtare të Netanyahut në Jeruzalem.
Izraelitët kanë vazhduar protestat e tyre, megjithëse në një numër më të vogël. Dhjetëra qytetarë protestuan në Tel Aviv të enjten. Policia tha se kishte arrestuar 12 demonstrues me motivin se kishin shkaktuar “trazira publike”.
Sondazhet tregojnë se vetëm rreth një e katërta e publikut ka besim në mënyrën se si Netanyahu po e menaxhon pandeminë, e cila ishte qetësuar kryesisht gjatë një bllokimi mars-maj.
The post “S’qëndroj në një qeveri që parandalon protestat”/ Ministri izraelit jep dorëheqjen appeared first on Vizion Plus.