Italia apo Belgjika? Vetëm njëra prej tyre do të presë një biletë për në gjysmëfinalen e “Euro2020”. Këtë mbrëmje dy skuadrat zbresin në fushë si të barabarta pasi janë të vetmet ekipe që nuk kanë regjistruar ende humbjen e parë në këtë kampionat.
Italia e Mançinit vjen me një motivim maksimal, kjo edhe për shkak se tekniku do të ketë të gjithë grupin në dispozicion. Në prag të sfidës, 56-vjeçari tha se nuk është e lehtë rruga drejt fitimit të këtij turneu ndërsa vlerësoi kombëtaren belge si rivalen më të fortë.
ROBERTO MANCINI –TRAJNER I ITALISË
“Ndeshjet si ajo me Austrinë na bëjnë më të fortë. Ne kem vuajtur, por kemi gjuajtur në portë plot 26 herë. Ka pasur momente të vështira, por në fund fituam. Ne po përballemi me ekipin më të mirë në Evropë, ata janë në krye të renditjes së UEFA-s, e kjo jo pa qëllim. Tani nuk ka sfida të lehta, të gjitha sfidat luhen për t’u fituar dhe ne do të bëjmë më të mirën tonë.’’
Nga ana tjetër Belgjika nuk e sheh veten në formën më të mirë pasi dy nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës si Kevin De Brujn dhje Eden Hazard nuk janë rikuperuar plotësisht. Megjithatë tekniku Roberto Martinez mbetet optimist.
ROBERTO MARTINEZ-TRAJNER I BELGJIKES
“Është një nga ndeshjet më të rëndësishme për mua si trajner përballë një Italie të frikshme si ajo e Mançinit. Po është e vërtet që dy nga futbollistët më të mirë tanë janë ende në pikëpyetje nëse do të jenë apo jo. Është një garë kundër kohës për të marrë një vendim pasi siç e dini Hazard dhe Brujn nuk janë stërvitur me ekipin që nga ndeshja me Portugalinë. Fakti që stafi mjekësor po më thotë fjalë të mira për rikuperimin e tyre më bën të besoj se do të pres deri në minutën e fundit se çdo të ndodhi.”
Advertisement
Ndeshje spektakolare pritet të jetë dhe ajo mes Spanjës dhe Zvicrës. Ekipi i Vladimir Petkovic do të tentojë që pas surprizës ndaj Francës , të vijojë ëndrrën për një kualifikim të mundshëm në gjysmëfinalen e kësaj EURO 2020.
Për fatin e keq futbollisti kosovar Granit Xhaka njëkohësisht dhe kapiteni I Zvicrës, nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve, ndërsa Xherdan Shaqiri pritet ta nisi ndeshjen që nga minuta e parë. Zvicër-Spanjë do të luhet në orën 18:00 ndërsa në mbrëmje është programuar supesfida Itali-Belgjikë në orën 21:00.