Sllovakia ndaloi të martën përdorimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit Sputnik V.
Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Zuzana Eliasova, tha se mbi 18,500 qytetarë sllovakë janë vaksinuar tashmë me këtë vaksinë. Në muajin mars, Sllovakia ka blerë 200,000 doza Sputnik V, duke u bërë shteti i dytë anëtar i Bashkimit Evropian, pas Hungarisë, që furnizohet me të tilla.
Sputnik V nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave EMA.
Në një intervistë për AFP-në në muajin qershor, Eduard Heger ka thënë se vendimi i Sllovakisë për të blerë vaksinën ruse është marrë kryesisht për shkak të presionit për furnizim në atë kohë dhe se ai nuk do të përsëritet.
“Vendimi është marrë nën ndikimin e fortë, ndoshta ndikimin më të fortë të pandemisë. Ne kishim nevojë për shumë vaksina”, ka thënë Heger.