Numrat e telefonit të përdorur nga dy princeshat e Dubait janë identifikuar në listën e programit kompjuterik të spiunimit, Pegasus. Princesha Latifa, vajza e sundimtarit të Dubait, dhe Princesha Haya Bint al-Hussain, ish-gruaja e tij, gjenden në një listë me rreth 50,000 numra telefoni të njerëzve që besohet se janë me interes për klientët e firmës me bazë në Izrael, NSO Group.
Më shumë se 80 gazetarë nga 17 organizata mediatike identifikuan gjurmët e spiunimit masiv, mes të cilëve gjendeshin edhe 14 krerë shtetesh, duke përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron. Në një reagim zyrtar, presidenca e quajti skandalin tejet serioz, nëse faktet konfirmoheshin. Këto gjetje kanë shkaktuar furtunë politike në disa vende, ndërsa ende vazhdojnë hetimet.
Projekti Pegasus zbuloi se softueri i krijuar për qeveritë me qëllimin për të gjurmuar terroristët, u përdor për të ndërhyrë në telefonat që u përkisnin gazetarëve, veprimtarëve për të drejtat e njeriut, drejtuesve të biznesit dhe zyrtarëve qeveritarë. Softueri i quajtur “Pegasus”, u ndërtua nga kompania izraelite NSO Group, në vitin 2011. Ai instalohet në një smartphone dhe bën të mundur përgjimin e mesazheve, fotove, kontakteve, si dhe telefonatave.
Kompania ka mohuar keqpërdorimin e tij duke thënë se programi është krijuar për t’u përdorur kundër kriminelëve dhe terroristëve dhe është vënë në dispozicion vetëm për ushtrinë, zbatimin e ligjit dhe agjencitë e inteligjencës.