Skandal apo fushatë? Olaf Scholz dhe pasojat e kontrollit në ministri

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Skandal apo fushatë? Olaf Scholz dhe pasojat e kontrollit në ministri

Pak para zgjedhjeve parlamentare kandidati për kancelar, Olaf Scholz do të merret në pyetje në Bundestag lidhur me kontrollin në Ministrinë e Financave, që ai drejton. SPD e konsideron këtë si një fushatë të ndotur.

Të hënën në mëngjes, ora 10:00, një mbledhje me dyer të mbylluara e komisionit parlamentar për financat – kështu është shënuar në planin e Bundestagut Gjerman për javën e ardhshme. Në rendin e ditës është një „bisedë” me ministrin e Financave, kandidatin socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz. Komisioni duhet të shqyrtojë, se çfarë qëndron pas kontrollit spektakolar të organeve të drejtësisë një javë më parë në dy ministritë e drejtuara prej socialdemokratëve. Partitë e opozitës, liberal-demokratët FDP, partia „E Majta” dhe ekologjistët „Të Gjelbërit” kërkuan mbledhjen e komisionit. Unioni konservator CDU/CSU, që është ndërkohë në koalicion qeverisës me socialdemokratët, me shumë dëshirë e ka miratuar këtë kërkesë.

Eshtë një histori me potencial shpërthyes dhe një zhvillim që po luhet në shumë nivele.  Në radhë të parë është fjala për hetimet e Prokurorisë së Osnabrückut kundër Njësisë së Inteligjencës Financiare, Financial Intelligence Unit (FIU) në Këln. Kjo njësi është përgjegjëse për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorit. Por ajo ka dështuar rregullisht, sepse nuk ka personel të mjaftueshëm dhe është e dobët nga struktura organizative. Më 2020 FIU nga 144.000 njoftime për dyshime të bankave mbi pastrim parash vetëm 17 përqind të informacionit i ka përcjellë tek policia dhe prokuroria.

Hetimet vazhdojnë që prej një viti e gjysmë. FIU është e instaluar në strukturën e doganës, e si rrjedhojë indirekt në Ministrinë e Financave. Si kreu i Ministrisë së Financave Scholz ka në kompetencë mbikqyrjen ligjore për FIU-n, pra ai duhet të kujdeset, që kjo njësi të punojë konform ligjit. Sa i përket anës operacionale kjo njësi është e pavarur nga ministria. Pra ministria nuk lejohet as të gjykojë mbi qëllimin e masave të veçanta dhe të japë udhëzime përmbajtësore ndaj saj.

Advertisement

Prokuroria në Osnabrück që nga shkurti 2020 po heton ndaj dy punonjësve të FIU-t nën dyshimin se kanë shmangur informacionin për ndjekje penale duke shfrytëzuar postin. Bëhet fjalë për njoftime mbi dyshimet e një banke të Osnabrückut, të cilës i kishte rënë në sy një transfertë parash për në Afrikë në vlerën e 1,7 milionë eurove. Banka dyshonte për financim terrori dhe njoftoi FIU-n, por autoriteti në Këln nuk e përcolli këtë dyshim tek autoritetet hetimore.

Një kontroll dhe domethënia e tij

Konkretisht hetuesit nuk kanë akuzuar askënd. Kontrolli javën e kaluar në Ministrinë e Financave kishte të bënte vetëm me sigurimin e e-mailave, për të gjetur emrat e personave me përgjegjësi në FIU. Kështu shkruhet edhe në vendimin përkatës për ushtrim kontrolli.

Prokuroria e Osnabrückut nxori një deklaratë shtypi lidhur me kontrollin, përmes së cilës të krijohej përshtypja, se po hetohet ndaj Olaf Scholz. Qëllimi i kontrollit është sqarimi i një dyshimi për vepër penale dhe veçanërisht përgjegjësitë personale, e më tej në deklaratën e shtypit të prokurorisë shkruhej: ” Ndër të tjera duhet të kontrollohet, nëse dhe deri në ç’masë eventualisht drejtues dhe persona përgjegjës të ministrive si dhe eprorë të tyre kanë qenë të involvuar në vendimet e FIU-t.”

Advertisement

A ishte ky kontroll i nxitur nga politika?

Për socialdemokratët rasti është i qartë. Partia Socialdemokrfate (SPD) mendon se ky është një komplot dhe akuzon CDU-në për një fushatë të ndotur politike. Me të gjitha mjetet po bëhen përpjekje, për të penguar një fitore të SPD-së në zgjedhje. Për këtë duhet ta dish, që drejtuesi i Prokurorisë së Osnabrückut dikur ka qenë kryetar i CDU-së në një qytezë të Saksonisë së Poshtme dhe drejtues i kabinetit të ish-ministrit kristiandemokrat të Drejtësisë. Ky është ende në politikë, si president i parlamentit të landit në Saksoninë e Poshtme.

Për të bërë të qartë mospërputhjen mes vendimit të gjyqtarit për kontroll dhe deklaratës së shtypit të prokurorisë, sekretari i shtetit për financat pranë ministri Scholz, Wolfgang Schmidt, publikoi në Twitter një fragment të vendimit të gjyqtarit. Por kjo juridikisht nuk është e lejueshme, ndaj tani po hetohet kundër Schmidtit. Postimi i tij nuk gjendet më në Twitter.

SPD e indinjuar

Advertisement

Kryetarja e SPD-së Saskia Esken e mbron Schmidt. Ajo argumenton, se publikimi i tij ka qenë i „domosdoshëm, sepse deklarata e shtypit e prokurorisë ishte tërësisht pakujdesi”, tha ajo në një intervistë radiofonike. Hetimet nuk drejtohen ndaj ministritt ë Financave Olaf Scholz. Deklarata e shtypit e prokurorisë ka „ngjallur një përshtypje të gabuar”.

Esken e kritikon kontrollin si „të papërshtatshëm”. Gjithnjë e më shumë mediet dhe ekspertët ligjorë janë të mendimit, se veprimi i prokurorisë në Osnabrück nuk ka qenë korrekt. Informacionet që donte të merrte prokuroria e Osnabrückut mund t’i kishte marrë edhe përmes telefonit ose online.

#CDUgate

Një përshtypje kjo që po kristalizohet gjithnjë e më shumë edhe në rrjetet sociale. Nën Hashtag #CDUgate po diskutohet me zjarr, se deri në ç’masë kontrolli i hetuesve në ministri në fakt në vend që të dëmtojë kandidatin për kancelar Scholz mund të godasë më fort CDU-në, në rast se vërtetohet, që kontrolli vërtetë nuk ka qenë i rastësishëm, por i udhëzuar në mënyrë tendencioze në prag të zgjedhjeve.

Advertisement

Por që të vërtetohet një gjë e tillë është e vështirë dhe në mbledhjen e komisionit të financave në Bundestag të hënën (20.09) kjo nuk do të jetë temë diskutimi.

Parlamentarët duan më shumë të mësojnë nga Olaf Scholz, nëse ka pasur ai dijeni për parregullsitë në FIU. Një aspekt ky  kjo që ka luajtur rol qendror edhe në komisionin hetimor parlamentar lidhur me çështjen Wirecard. “Scholz nuk e ka nën kontroll punën e vet “, gjykon anëtari liberal-demokrat i komisionit, Florian Toncar, “turp për një njeri, që do të bëhet kancelar.”

Luftë për pushtet dhe showdown në komisionin e financave?

Marrja në pystje të hënën për Scholz-in nuk është aspak komode. Veç kësaj atij do t’i duhet të ndërpresë turin elektoral. Scholz u përpoq ta shmangë këtë duke argumentuar se ndodhet në jug të Gjermanisë për fushatë dhe mund të lidhet me video-konferencë me komisionin. Por parlamentarët nuk duan ta pranojnë këtë. Në rast nevoje mund të imponohet paraqitja personalisht e ministrit të Financave, duke nxjerrë të hënën një vendim për këtë, mësohet nga informacioni në faqet e internetit të partive të opozitës FDP, E Majta dhe Të Gjelbërit, që kanë kërkuar mbledhjen e komisionit. Nëse arrin puna deri këtu, atëherë komisioni do të ndërpresë seancën për të pritur mbërritjen e ministrit nga jugu i Gjermanisë.

Advertisement

DW

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy