
Shtetet e Bashkuara po jetojnë ditët e tyre më të errëta. Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Shtetet e Bashkuara kapërceu shifrën 2 milionë, ndërkohë që autoritetet shëndetësore kanë thënë se janë duke regjistruar rritje të numrit të të prekurve me sëmundjen Covid-19.
Shteti i Arizonas raportoi një ditë më parë një rekord të numrit të pacientëve, pasi një grup i madh turistësh u panë duke qarkulluar përgjatë një feste të shënuar në fund të muajit maj.
Teksas, Florida dhe Karolina Veriore, të cilat kanë qenë në mesin e shteteve të para që kanë lehtësuar masat e izolimit, kanë qenë po ashtu në mesin e vendeve që kanë raportuar për rekord të infektimeve të reja brenda një dite.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, SHBA-ka ka konfirmuar 2,000,464 raste të prekura me koronavirus. Prej tyre mbi 113,000 pacientë kanë vdekur.
Këto të dhëna vijnë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shtuar vëmendjen ndaj rritjes “eksponenciale” të numrit të të infektuarve me këtë virus në Amerikën Latine.