Në aeroportin e Kabulit po vazhdon një situatë kaotike ku dhjetëra mijëra njerëz po synojnë të largohen nga Afganistani.
Gazetarja e BBC-së ka raportuar nga Kabuli se refugjatëve u është thënë se gjatë evakuimit me vete mund të marrin vetëm një valixhe me rroba.
“Në aeroport ka avionë amerikanë ushtarakë të cilët mbushen me njerëz dhe transportohen në vende të ndryshme”, raporton gazetarja, ndersa shton se nuk është vetëm vendi që ata po largohen, pasi mijëra qytetarë po lënë pas jetën e tyre.
Ndërkohë talebanët kanë paralajmëruar se nuk do të zgjasin afatin e 31 gushtit për misionin aktual të evakuimit. Një zëdhënës i tyre tha se 31 gushti është vija e kuqe.
Ai tha se Presidenti Biden kishte thënë se trupat do të largoheshin deri në atë datë, dhe zgjatja përtej kësaj date do të thoshte zgjatjen e okupimit të Afganistanit. Ai paralajmëroi për pasoja nëse kjo do të ndryshonte.