Nga Edward Lucas “Center for European Policy Analysis
Termi “Tigër prej letre”, ishte një nga fyerjet e preferuara të Mao Ce Dunit. Siç tha dikur Henri Kisinger, nuk ishte diktatori kinez ai që e shpiku këtë frazë. E megjithatë ai kënaqej kur e përdorte atë, sidomos kundër Shteteve të Bashkuara.
Sot këto kafshë metaforike janë sërish duke “ecur”. Kina ka bërë kërcënime të tmerrshme ndaj Lituanisë, pasi ky vend i vogël evropian mbajti premtimin e tij për të hapur një zyrë përfaqësuese të Tajvanit në kryeqytetin e tij Vilnius.
Dhe nuk bëhet fjalë për një ambasadë formale. Pasi kjo zyrë përfshin fjalën “Tajvan” në emërtimin e saj, duke hedhur poshtë këmbënguljen e Kinës kontinentale që demokracia vetëqeverisëse e ishullit përmendet vetëm në rrethana të caktuara si “Taipei”, kryeqendra e ishullit.
Partia-shtet në Kinë u tërbua nga inati nga ky zhvillim. “Global Times”, gazeta zyrtare e Partisë Komuniste Kineze në gjuhën angleze, e etiketoi ndër të tjera Lituaninë “thjesht si një mi, apo edhe një plesht, nën këmbët e një elefanti luftarak”.
Dikush mund të pyesë, cilado qoftë nofka, pse kritikohet kaq shumë “elefanti”?Sido që të jetë puna, Lituania është shumë e trembur nga kërcënimet që vijnë nga një vend afro 400 herë më i madh në popullsi. Ulja e përfaqësimi të ambasadës kineze në Vilnius, pas tërheqjes së ambasadorit kinez atje, nuk ka asnjë efekt praktik.
Edhe sanksionet po ashtu. Lituania nuk ka një volum domethënës tregtar me Kinën kontinentale, ndërsa eksportet në Tajvan kanë shënuar një bum vitet e fundit. Politika lituaneze gëzon një mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë një strukturë të re kredie për eksportet prej 600 milionë dollarësh.
Uzra Zeja, një nga 7 nënsekretaret në Departamentin e Shtetit, vizitoi së fundmi Vilniusin për të mbajtur fjalimin kryesor në Forumin e Ardhmërisë së Demokracisë. Në aktivitet foli edhe ish-zëvendëspresidenti i Tajvanit Chen Chien-jen, në praninë e ministrave të jashtëm të Letonisë dhe Sllovenisë.
Kjo ilustron raportet e qëndrueshme diplomatike dhe shkuarjen drejt marrëdhënieve më të ngushta me Tajvanin. Edhe qeveria e re çeke po mendon gjithashtu të ndërmarrë hapa të ngjashëm në të ardhmen. Sa më shumë që ankohet Kina kontinentale, aq më të dobëta duken kërcënimet e saj.
Por disa “Tigra” janë shumë të vërtetë. Kundërvënia ndaj bllofit që po luan Kina është e lehtë, në krahasim me vështirësitë që paraqiten nga Bjellorusia dhe Rusia. Me siguri, Kina nuk do t’i dërgojë raketat e saj hipersonike që të godasin Lituaninë.
Bjellorusia ka mundësi, dhe në fakt po i përdor emigrantët për të sulmuar kufijtë e fqinjëve të saj të Bashkimit Evropian. Ndërkohë Rusia po grumbullon trupa në kufirin ukrainas në një mënyrë të tillë që të jep arsye serioze për t’u alarmuar mbi qëllimet e saj reale.
Krahasimet janë shumë domethënëse. Kina përbën një kërcënim shumë më serioz për Shtetet e Bashkuara dhe për lirinë kudo në botë. Por për evropianët, ajo është shumë larg. Bjellorusia është një diktaturë. Rusia është aktualisht një “moçalishte” me ujëra të ndenjura nën keqqeverisjen e ish-agjentit të KGB-së sovjetike, Vladimir Putin.
Por ata janë shumë të ngjashëm në taktikat që përdorin. Partia Komuniste Kineze po zhvillon një betejë simbolike të pakuptimtë mbi Tajvanin, e nxitur nga neurozat e paqarta për legjitimitetin e saj. Edhe Rusia e Putinit gjithashtu ka probleme neurotike me legjitimitetin (dhe si rrjedhim një mëri të madhe historike për shtetësinë ukrainase, e ilustruar nga përçartjet e çuditshme të Putinit mbi këtë temë).
Por synimi i Rusisë nuk është që të ndryshojmë terminologjinë diplomatike. Kremlini dëshiron territore, dhe për ta arritur këtë është gati të paguajë dhe të shkaktojë një kosto të tmerrshme në jetë njerëzish dhe materialesh. Dhe ne e injorojmë këtë gjë edhe pse jemi të rrezikuar.
Por në të dyja rastet, kundërmasa e nevojshme është e ngjashme:lipset një veprim kolektiv vendimtar. Madje edhe Partia Komuniste Kineze, nuk mundet që ta injorojë fuqinë ushtarake, politike dhe ekonomike të vendeve perëndimore që punojnë së bashku.
Tashmë po marrin formë aleancat e reja, që do të ndryshojnë me vonesë ekuilibrin e fuqisë në rajonin e Indo-Paqësorit. Ballafaqimi me Kremlinin duhet të jetë shumë më i lehtë.
Evropa ka shumë mjete ekonomike dhe mjete të tjera, për të vendosur nën presion Bjellorusinë mbi keqpërdorimin e emigrantëve, dhe për ta penguar Rusinë kur bëhet fjalë për Ukrainën. Por këto mekanizma funksionojnë vetëm nëse ajo i qaset këtyre çështjeve me 27 vendet anëtare të bashkuara. Gjuetia e tigrave është e rrezikshme. Është më mirë të mos e provoni vetëm.(CNA.al)