Nga Helen Collis, Politico
Varianti i ri i koronavirusit që është zbuluar së fundmi në Afrikë, ka nxitur një sërë hetimesh dhe pezullimesh të udhëtimeve deri në momentin që ekspertët të kuptojnë se sa serioz është ky mutacion.
Varianti, i quajtur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si Omicron, u zbulua për herë të parë nga sekuenca gjenomike në Afrikën e Jugut.
“Ky variant ka një numër të madh mutacionesh, disa prej të cilave janë shqetësuese,” tha OBSH në një deklaratë të premten. “Dëshmitë paraprake sugjerojnë një rrezik të shtuar të riinfeksionit me këtë variant, në krahasim me variantet e tjera të cilësuara si shqetësuese.”
Jenny Harries, kreu i Agjencisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar tha se ky ishte varianti më shqetësues që është përhapur deri më tani dhe se gjithashtu nevojiten hulumtime emergjente për të kuptuar më shumë rreth natyrës së variantit.
Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga shkencëtarët, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, e ndjekur nga disa vende në Europë, ka vendosur kufizime për udhëtimet nga Afrika e Jugut, Botsvana, Lesoto, Eswatini, Zimbabve dhe Namibia. Por varianti tashmë është përhapur në Europë, rasti i parë është zbuluar në Belgjikë.
Pse shkencëtarët janë të shqetësuar për këtë variant?
Varianti Omicron, i njohur gjithashtu si B.1.1.529, përmban rreth 50 mutacione, një numër jashtëzakonisht i madh. Më shumë se 30 prej tyre ndodhen në proteinën spike, pjesa e virusit SARS-CoV-2 që ndërvepron me qelizat njerëzore përpara hyrjes në qelizë dhe pjesa që synojnë shumica e vaksinave. Ndërsa disa prej këtyre mutacioneve janë vënë re edhe te variantet e mëparshme shqetësuese, “disa prej atyre mutacioneve janë të panjohura,” tha Francois Balloux, drejtor i Institutit Gjenetik të Kolegjit Universitar në Londër.
Sekuenca gjenomike në Afrikën e Jugut ka identifikuar deri më tani 100 raste të Omicron nga rajoni që përfshin qytetet e Johannesburg dhe Pretoria. Më parë, normat e përgjithshme ditore të rasteve të COVID-19 në atë pjesë të vendit janë rritur gjatë shtatë ditëve të fundit nga 273 në më shumë se 1,200, raporton abcnews.al
A do ti shpëtojë ky variant mbrojtjes së vaksinave?
Bazuar në numrin dhe llojet e mutacioneve që përfshin varianti Omicron, shkencëtarët sugjerojnë se imuniteti nëpërmjet vaksinimit dhe/ose infeksionit të mëparshëm mund të mos mbrojë kundër ri-infeksionit nga Nu në mënyrë kaq efektive.
“Bazuar në përbërjen e tij gjenetike, ne mund të parashikojmë se B.1.1.529 mund të anashkalojë pjesërisht imunizimin e ofruar nga vaksinimi dhe infeksioni i mëparshëm,” tha Balloux.
Afrika e Jugut po kryen me shpejtësi disa studime laboratorike për të kuptuar ndikimin që ka tek imuniteti i njeriut. Shkencëtarët po studiojnë neutralizimin e antitrupave të këtij varianti si dhe ndërveprimet me qelizat T, për të “konfirmuar nëse ka imunitet të reduktuar në analizat standarde laboratorike, por do të duhen disa javë për të dhënë një përfundim të saktë,” tha Peacock, i cili është gjithashtu profesor i shëndetit publik.
A ka gjasa që ky variant të bëhet dominant në Europë?
Është diçka që ende nuk e dimë. Të dhënat aktuale tregojnë një rritje të rasteve veçanërisht në provincën Gauteng të Afrikës së Jugut.
“Tabloja epidemiologjike sugjeron që ky variant mund të jetë më i transmetueshëm dhe disa mutacione (nga Omicron) janë në përputhje me transmetueshmërinë e zgjeruar,” tha Peacock. Por nuk ishte ende e qartë nëse kjo ishte për shkak të eventeve ose nëse varianti Omicron në fakt mund të konkurrojë Deltën. “Nevojiten studime të mëtejshme për ta konfirmuar këtë,” tha Peacock.
“Çdo parashikim në lidhje me transmetueshmërinë dhe virulencën e tij është i parakohshëm,” shtoi Balloux.
A është ky variant më vdekjeprurës?
Ende nuk ka një përgjigje të saktë pasi nevojiten më shumë të dhëna. Sipas disa studiuesve, Omicron është më i transmetueshëm, mund të jetë më pak i rrezikshëm . Ndërkohë, disa sugjerojnë se përgjigja imune qelizore e shkaktuar nga vaksinat mund të jetë e mjaftueshme për të luftuar virusin edhe me mutacione të shumta, raporton abcnews.al
Monica Gandhi, një mjeke e sëmundjeve infektive/HIV në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, tha se meqenëse përgjigja imune qelizore është shumë komplekse duke gjeneruar lloje të reja antitrupash edhe kundër varianteve të reja ekziston mundësia që vaksinat të jetë efektive.
Ende nuk dihet se deri në çfarë mase varianti Omicron mund t’i shpëtojë imunitetit të vaksinës. Ekspertët i nxisin njerëzit që të marrin vaksinohen plotësisht, duke përfshirë përforcues nëse kualifikohen. Mbretëria e Bashkuar dhe Europa kanë ndërmarrë veprime të shpejta në përpjekje për të frenuar përhapjen e variantit Omicron në rajon, përmes ndalimit të përkohshëm të fluturimeve dhe vendosjes së masave të reja si karantina.
“Veprimi i hershëm është shumë më i mirë se veprimi i vonë,” tha Ewan Birney, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Laboratorit Europian të Biologjisë Molekulare dhe drejtor i Institutit Europian të Bioinformatikës EMBL.
“Mund të rezultojë se ky variant nuk është një kërcënim aq i madh sa Alpha dhe Delta, por pasojat e mundshme të mosveprimit mbi mundësinë që mund të jetë janë serioze,” shtoi ai.
Nëse kemi nevojë për vaksina të reja, sa kohë do të duhet për ti prodhuar?
Vaksina më e përdorur në Europë është vaksina e mRNA COVID-19 nga BioNTech/Pfizer.
“Ne presim të dhëna nga testet laboratorike brenda dy javësh”, tha një zëdhënës i BioNTech. “Këto të dhëna do të ofrojnë më shumë informacion nëse B.1.1.529 mund të jetë një variant që i shpëton mbrojtjes së vaksinave.”
Shefi Ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla, tha në shtator se të dy kompanitë mund të zhvillojnë një version të ri të vaksinës në më pak se 100 ditë. Kompanitë e kanë bërë diçka të tillë edhe për variantin Beta, i identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe Delta. Por duke qenë se vaksina aktuale është efektive kundër këtyre varianteve, nuk ka pasur ende nevojë për të nxjerrë në treg një version të modifikuar.
Në fillim të këtij muaji, BioNTech njoftoi se po zhvillonte një qasje të re për të vlerësuar zhvillimin, prodhimin dhe proceset rregullatorë për variantet e vaksinave specifike.
“Ideja është që ne të jemi një hap përpara virusit,” tha Bourla në shtator.