Pesë ditët e fundit të politikës italiane duken skenari ideal i një vepre shekspiriane si “Shumë zhurmë për asgjë”. 80-vjeçari Sergio Mattarella do të mbajë për shtatë vite të tjera postin më të lartë, të paktën juridikisht, të institucioneve italiane, atë të Presidentit. Kur të largohet nga rezidenca e bukur presidenciale në kodrën Quirinale, Mattarella do të jetë 87 vjeç.
Partitë italiane, që fillimisht dukeshin të ndara mbi kandidatët për president, gjetën sot në mëngjes një marrëveshje surprizë mbi emrin e Presidentit, faktikisht i dashur nga opinioni publik, përtej partive. Pasditen e së shtunës, në votimin e tetë në Parlament, Mattarella mori 505 vota.
Por, më shumë se një bindje mbi Mattarellën, vendimi i sotëm ishte rezultati i ekuilibrave tejet të brishta të politikës italian, ku nuk ka një parti që dominon skenën, por një shumëllojshmëri forcash, nga Partia Demokratike e majtë tek 5 Yjet populistë dhe deri tek partitë e djathta si Lega dhe Fratelli d’Italia, pjesa më e madhe e të cilëve për më shumë ndodhen bashkë në një ekzekutiv të zhurmshëm ku kryeministri Mario Dragji duket i vetmi që ka një linjë të qartë qeverisjeje.