Rusia ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në Detin e Zi ndërsa tensionet me Perëndimin dhe Ukrainën, janë thelluar. Dy anije luftarake kaluan ngushticën e Bosforit ndërsa 15 anije më të vogla u vendosën në det, njëkohësisht me shtimin e trupave pranë kufirit me Ukrainën. Moska e ka quajtur një stërvitje të përkohshme mbrojtjeje ndërsa veprimet vijnë pas shkallëzimit të luftimeve në pjesën lindore të Ukrainës mes seperatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare ukrainase.
Marrëdhëniet e Rusisë me Uashingtonin, i cili anuloi dislokimin e dy anijeve luftarake amerikane në Detin e Zi javën e shkuar pas reagimeve të ashpra të Kremlinit, janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.
Rusia akuzoi një diplomat ukrainas se po përpiqej të merrte informacione të klasifikuara dhe e urdhëroi atë të largohej nga vendi deri më 22 prill, duke nxitur kështu një përgjigje të menjëhershme nga Ukraina, ndërkohë që tensionet kufitare vazhdojnë të jenë të larta.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kërkoi zhvillimin e bisedimeve paqësore me Moskën.
Nga ana tjetër, Republika Çeke po dëbon 18 diplomatë rusë bazuar në dyshimet se shërbimet ruse të zbulimit ishin përfshirë në një shpërthim municionesh në vitin 2014. Dy punonjës të një kompanie private që po merrte me qera depon nga një organizatë ushtarake shtetërore, u vranë.
Përgjigjja e Rusisë ndaj dëbimit të 18 diplomatëve pritet të jetë proporcionale.