Etleva Demollari drejtuesja e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia e Gjetheve” rrëfen për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, diskursin aktual mbi të shkuarën dhe rivendosjen e dinjitetit të viktimave të regjimit komunist shqiptar, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.

Në Tiranë shtëpia e Zotit dhe shtëpia e spiunëve qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Një histori persekutimi përplot 50 vjet ndaj klerit fetar, duket sikur dhe sot në heshtje e ndjek nga pas. Në të dy anët e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” duket sikur qëndrojnë të heshtura ferri dhe parajsa. Për krimet monstruoze që regjimi komunist kreu ndaj shqiptarëve të pafajshëm nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, qëndrimi afër një Kishe siç duket, xhelatëve u jep pak lehtësim për shpirtrat e vrarë e trupat e masakruar. Një koinçidencë e hidhur. “Shtëpia e Gjetheve” apo Muzeu Kombëtar i Përgjimeve është muzeu më intrigues në kryeqytet. Në vendet totalitare, Muze të tillë sot të tmerrojnë njësoj si diktatura dje. Aty ekspozohen viktima të pafajshëm, të përndjekur e dënuar mizorisht nga regjimi. Në këtë shtëpi tmerri jetojnë viktimat dhe persekutorët. Një bashkëjetesë e tmerrshme. “Shtëpia e gjetheve” u ndërtua në 1931. Muzeun Kombëtar i Përgjimeve përpiqet t’i rrëfejë gjithëkujt por të huajve kryesisht një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë. Ky muze përmban: teknikë operative, metoda të ndryshme dhune, torture e përndjekje, përgjime, kontrolle, spiunime, dëshmitarë, persekutorë, prokurorë, gjykatës, ushtarakë, viktima, familjarë, priftërinj, hoxhallarë, anëtar të komitetit qëndror, armiq, revolucionarë, koperativistë, kolaboracionistë, shpaloset i gjithë tmerri që përjetoi krejt shoqëria shqiptare përgjatë komunizmit. Shtëpia me Gjethe përbëhet nga 31 dhoma dhe 9 seksione ku tregohet me detaje gjithçka kaluan shqiptarët për 50 vjet në diktaurën staliniste.

Ekspozimi i krimeve si dënim moral ndaj xhelatëve

“Vetëm duke rrëfyer atë që ka ndodhur mund të “kapërcehet” me të vërtetë e kaluara”. Çështja ndryshon kur ky rrëfim bëhet në një muze apo në një sallë gjyqi nga pikëpamja e ndëshkimit. Por mendoj se edhe ekspozimi në muze i fakteve, i dhunës së ushtruar, i atyre që kanë qenë drejtues të Sigurimit të Shtetit është një lloj ndëshkimi moral i autorëve të krimeve. Edhe pse regjimi komunist u rrëzua në fillim të viteve 1990, njerëzit që punonin me Sigurimin mbetën në institucione shtetërore për një kohë të gjatë, duke penguar vendin që të ecë përpara me përpjekjet e tij për të siguruar dhënie llogarie për krimet e të kaluarës. Një numër i vogël njerëzish janë nxjerrë në gjyq për krimet e kohës së komunizmit, por shumica e tyre janë liruar nga akuzat ose janë liruar pasi kanë kryer një pjese të dënimit. Përballja me të kaluarën komuniste është një sfidë e vështirë në Shqipëri. Kjo për faktin se edhe pse sistemi komunist është rrëzuar, ende është gjallë ideologjia komuniste e cila shfaqet në minimizimin dhe përpjekjet për të fshehur e për të fshirë krimet e komunizmit. Drejtësia tranzicionale, pra, realizimi i drejtësisë në fazën e tranzicionit është ende në fillimet e veta në Shqipëri dhe mendojmë se Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” jep kontributin e vet së bashku me shumë institucione të tjera si Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Instituti mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, IDMC etj në përpjekjet që bëjnë të mundur tranzicionin drejt një shoqërie të qëndrueshme në paqe dhe më demokratike.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Pështjellim emocional dhe frikë ndaj sigurimit edhe pas 30 viteve

Fillimisht pas vizitës në Muze, të përndjekurit janë shprehur se ndjenin një pështjellim emocional për shkak të ndjenjës së frikës e të terrorit që Sigurimi i Shtetit, dhe vetë godina ngjallte tek ata. Duhet të them se ka pasur shumë prej tyre që e kanë paragjykuar dhe anatemuar muzeun për arsye politike apo për vetë faktin se godina ka qenë selia e një prej Drejtorive të Sigurimit. Por më pas kur kanë kuptuar se ky muze u kushtohet atyre vetë, personave që janë përgjuar, spiunuar, dënuar e persekutuar nga regjimi komunist, na kanë falenderuar dhe kanë shprehur simpatinë e tyre. Nga ana tjetër, ne i konsiderojmë ata si partnerë të rëndësishëm të punës tonë. Shumëprej dëshmive të tyre janë pjesë e ekspozitës së përhershme të muzeut. Të gjithë ata individë që kanë statusin e të përndjekurit politik mund të hyjnë falas në muze. Gjithashtu programet edukative që organizon muzeu me nxënësit e shkollave dhe studentët, synojnë rehabilitimin e të dënuarve dhe të mbijetuarve pasi ata ftohen të flasin në mënyrë sistematike në muze jo vetëm për vuajtjet e tyre në burgje e kampe internimi, pse dhe si u dënuan duke u dhënë të rinjve shembuj të gjallë të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të dhunës së ushtruar në komunizëm por dhe për qëndresën, u japin mësime të rinjve si të kenë një qëndrim kritik në jetë.

Turistët e huaj të tmerruar nga diktatura në Shqipëri

Muzeu ka ngjallur një interes të madh tek turistët e huaj të cilët për shkak të izolimit mbi 45 vjeçar nuk e kanë njohur Shqipërinë e asaj periudhe. Që nga hapja e muzut më 23 Maj 2017 ne kemi patur rreth 48 000 vizitorë dhe rreth 58 % e tyre janë të huaj. Ata shprehen të impresionuar mbi gjithçka që ka ndodhur, mbi mënyrën se si ka funksionuar regjimi, dhunën psikologjike dhe terrorin e vendosur në Shqipëri. Në komentet e tyre ata na inkurajojnë në punën tonë mbi informimin e publikut dhe shprehen se muze të tillë janë të nevojshëm që diktatura të mos përsëritet më në të ardhmen. Më 6 dhjetor 2019 Muzeu Kombëtar i Përgjimeve „Shtëpia me Gjethe“ u nderua me Çmimin e Këshillit të Europës Muzeu i Vitit 2020“ (Council of Europe Museum Prize 2020) nga Forumi Europian i Muzeve dhe nga Ansambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Muzetë memorialë si përpjekje për të rikthyer dinjitetin e viktimave

Muzetë kanë potencialin të bëjnë bashkë në një vend pikëpamje të ndryshme duke i ballafaquar faktet përmes mjeteve muzeografike dhe duke e lënë vizitorin e thjeshtë të gjykojë e të dalë në përfundimet e veta. Muzeu Kombëtar i Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe” i ekpozon krimet dhe jep këndvështrime të ndryshme mbi ngjarjet e ndodhura. Në dosjet dhe dokumentet e tjera arkivore të kohës jepet pikëpamja e Sigurimit mbi bashkëpunëtorët apo viktimat e terrorit komunist. Përmes tyre, në mënyrë të tërthortë mund të kuptohen dhe metodat që përdorte Sigurimi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve. Këndvështrimi i të dënuarve të regjimit komunist jepet përmes dëshmive gojore. Në muze janë përdorur dokumentarë e intervista të shumta të të persekutuarve politikë gjatë regjimit komunist dhe të familjarëve të tyre. Nëpërmjet paneleve, diçiturave, statistikave jepet pikëpamja e Muzeut. Përzgjedhja e citimeve në sektorin e fundit të ekspozitës në sektorin Panoptikon shpreh qartaz pikëpamjen e Muzeut mbi procesin e ballafaqimit me të kaluarën: “E kaluara nuk vdes kurrë. Ajo madje as ka kaluar “. Ëilliam Faulkner. “Atëherë ndoshta nuk e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan patur një kurajo të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje”- Amik Kasoruho. Muzeu përcjell idenë se varrosja e së kaluarës komuniste nuk sjell as shërim e as drejtësi për ata që e pësuan sepse ne bartim kujtimin e saj.

E kaluara është pjesë e pandarë e jona. Çdo çast i së kaluarës sonë ndërton atë që ne jemi. Kështu që e kaluara jeton brenda nesh. Historia përsëritet, ata që e harrojnë të shkuarën janë të destinuar ta përsërisin. Ndaj asgjë s’duhet të kalojë në heshtje. Asgjë s’duhet të mbetet e pandëshkuar. Kështu, muzeu përpiqet përmes mjeteve muzeografike ta drejtojë vizitorin në vlerësimin e gjykimin e tij pa iu imponuar. Muzetë memorialë e vendet e kujtesës e kanë potencialin për të përmirësuar proceset e drejtësisë tranzicionale, duke u mbështetur në të gjitha palët që punojnë së bashku drejt një dobie më të madhe: njëfarë drejtësie dhe parandalimi të përsëritjes së dhunës. Muzeu duke shfrytëzur të gjitha mjetet muzeografike jep një kontribut të vyer në diskursin aktual mbi të shkuarën, në njohjen e fakteve, në rivendosjen e dinjitetit të viktimave; nxitjen e debateve të hapura midis padrejtësive të kaluara duke siguruar dhe një vend për reflektim. Mënyra më e mirë kundër abuzimit me të drejtat e njeriut është një qytetari aktive dhe e angazhuar me vetëdije, liri dhe frymëzim për ta ndaluar abuzimin para se të fillojë. Ky mund të jetë një drejtim shumë i rëndësishëm në një shoqëri në tranzicion.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";