Shtetet e Bashkuara do të gjejnë një mënyrë për t’i përcjellë Izraelit “shqetësimin” e tyre për një operacion ushtarak në Rafah pasi administrata e Netanyahu anuloi vizitën e delegacionit izraelit në Uashington, tha Departamenti i Shtetit.
Vendimi për anulim u mor në shenjë proteste ndaj rezolutës së OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës.
Izraeli e anuloi vizitën për shkak se SHBA abstenoi nga votimi në Këshillin e Sigurimit, në vend që të vendoste veton ndaj tij siç ka bërë deri më tani në rezolutat e mëparshme.
“Jam i sigurt se do të gjejmë mjete të tjera për t’ua përcjellë atyre shqetësimet tona,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, duke e quajtur vendimin për anulimin e vizitës “të habitshëm dhe fatkeq”.
Ai shtoi se ministri i Jashtëm Anthony Blinken ka të ngjarë të diskutojë çështjen e Rafah me ministrin izraelit të mbrojtjes Yoav Gallad, vizita e veçantë e të cilit në Uashington nuk u anulua.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby konfirmoi se Gallant do të takohet me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin, të martën.
“Ne besojmë se ky lloj pushtimi në një shkallë të gjerë do të ishte i gabuar, dhe jo vetëm për shkak të rrezikut të madh për civilët,” tha Miller.
Sipas zëdhënësit, qeveria izraelite nuk ka paraqitur një plan koherent për të larguar 1.4 milionë njerëz nga Rafah. Shumica e tyre ikën atje për t’i shpëtuar granatimeve të Rripit verior të Gazës.
“Ky lloj pushtimi do të dobësonte sigurinë e Izraelit” dhe “do të dëmtonte pozitën e tij në botë “, këmbënguli Miller.
Kirby, nga ana e tij, tha se Uashingtoni ” nuk ka asnjë tregues, as nuk ka parë, për ndonjë plan për të pushtuar Rafah brenda ditëve të ardhshme .”
Më parë, një zyrtar amerikan i cili foli në mënyrë anonime me një grup gazetarësh tha se çështjet e tensionit politik të brendshëm me gjasë e çuan kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në vendimin për të mos dërguar një delegacion në Uashington për bisedime.
Ai tha se presidenti Joe Biden nuk kishte ndërmend të fliste me Netanyahun në telefon për këtë çështje dhe se Netanyahu nuk e kishte informuar paraprakisht për vendimin e tij./vizionplus.tv