Shtëpia e Bardhë tha të premten se Rusia mund të sulmojë Ukrainën brenda një jave dhe ndoshta edhe brenda dy ditëve të ardhshme, dhe u bëri thirrje amerikanëve që të largohen menjëherë.
Këshilltari i Presidentit Joe Biden për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara nuk e dinë nëse presidenti rus Vladimir Putin e ka marrë vendimin për të ndërhyrë, por se duket se janë marrë masat në terren për një inkursion të shpejtë.
Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, zoti Sullivan nuk dha detaje specifike por tha se të gjithë amerikanët që janë ende në Ukrainë duhet të largohen brenda 24-48 orëve të ardhshme.
Ai tha se një ndërhyrje ruse mund të fillonte me një sulm ajror që do ta bënte të vështira largimin.
Moska, nga ana e saj, ashpërsoi reagimin ndaj diplomacisë perëndimore, duke thënë se përgjigjet e dërguara këtë javë nga BE dhe NATO ndaj kërkesave të saj të sigurisë tregonin “mungesë respekti”.
Imazhe satelitore të publikuara nga një kompani private amerikane tregojnë dislokime të reja ushtarake ruse pranë Ukrainës.
“Ngjarjet mund të precipitojnë me shpejtësi”, tha ai në një intervistë për televizionin NBC të enjten.
Presidenti Biden pati të premten një bisedë telefonike për të diskutuar mbi krizën me krerët e Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Rumanisë, si dhe krerët e NATO-s dhe BE-së.
Zoti Biden u takua me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë gjatë natës, tha një burim që kishte dijeni mbi takimin. Zyrtarët amerikanë besojnë se kriza po arrin në një pikë kritike, duke pasur parasysh se Moska po ashpërson retorikën, ka dërguar gjashtë anije luftarake në Detin e Zi si edhe pajisje ushtarake shtesë në Bjellorusi, i tha burimi agjencisë Reuters.
“Një pushtim i mundshëm mund të fillojë në çdo kohë, dhe që të jem i qartë kjo mund të ndodhë edhe gjatë Lojërave Olimpike,” tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Lojërat e Pekinit përfundojnë më 20 shkurt.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov dhe kreu i shtatmadhorisë amerikane, gjeneral Mark Milley patën një bisedë telefonike të premten, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax, duke iu referuar një deklarate të ministrisë ruse të mbrojtjes. Agjencia nuk dha detaje për takimin.
Ndërsa gjendja bëhet më alarmante, gjithnjë e më shumë vende, përfshirë Japoninë dhe Holandën paralajmëruan të premten qytetarët e tyre të largohen menjëherë nga Ukraina.
Moska ka mohuar se ka plane për të pushtuar Ukrainën, por thotë se mund të ndërmarrë veprime të papërcaktuara “ushtarako-teknike” nëse nuk plotësohen kërkesat që ajo ka parashtruar, përfshirë që të mos anëtarësohet Ukraina në NATO dhe të tërheqjen e forcave nga Evropa Lindore. Perëndimi ka thënë se këto kërkesa nuk janë të negociueshme.
3 mijë trupa të tjera amerikane brenda disa ditësh në Poloni
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 3000 trupa shtesë në Poloni në ditët në vijim, i tha medias të premten një zyrtar i lartë i Pentagonit.
“Me kërkesën e Presidentit, Sekertari i Mbrojtjes Lloyd Austin urdhëroi sot dërgimin e 3,000 ushtarëve të Divizionit të 82 të për në Poloni”, tha zyrtari
Ato janë përveç 8,500 trupave që janë vendosur tashmë në gatishmëri për t’u dislokuar në Evropë nëse është e nevojshme dhe 3,000 trupave që administrata e Shteteve të Bashkuara po dislokon në Poloni dhe Rumani.