Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Kinës të premten të mos angazhohet në veprime “hakmarrëse” duke urdhëruar konsullatën amerikane në Chengdu të mbyllet, si përgjigje ndaj mbylljes nga Uashingtoni të konsullatës kineze në Hjuston.
“Veprimi ynë për mbylljen e konsullatës së përgjithshme të Republikës Popullore Kineze u morr për të mbrojtur pronësinë intelektuale amerikane dhe informacionin privat të amerikanëve“, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Ullyot. “I bëjmë thirrje Partisë Komuniste kineze të ndalë këto veprime keqdashëse e të mos angazhohet veprime hakmarrëse“, tha ai.
Kina urdhëroi mbylljen e Konsullatës amerikane në Chengdu në shenjë hakmarrjeje për vendimin e Shteteve të Bashkuara për të mbyllur brenda ditës së premte konsullatën e Kinës në Houston të Teksasit.
Ka gjithashtu thirrje për Pekinin në mediat kineze dhe në një anketim në Twitter që të “godasë më fort” duke mbyllur Konsullatën amerikane në Hong Kong, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se do të mbyllen konsullata të tjera kineze në Shtetet e Bashkuara.
Dy analistë që folën për Zërin e Amerikës thonë se nëse mbylljet reciproke përshkallëzohen, marrëdhëniet SHBA-Kinë do të jenë në një spirale në rënie dhe se vetëm do të përkeqësohen.
Një Luftë e re e Ftohtë
“Është një përshkallëzim (i tensioneve diplomatike). Dhe është një luftë e re e ftohtë që po fillon, hap pas hapi, nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina”, tha Sang Pu, një komentues politik në Hong Kong.
“Marrëdhëniet SHBA-Kinë kanë arritur në nivelin më të ulët që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, ose në veçanti që kur ligji i sigurisë kombëtare të Hong Kong-ut hyri në fuqi”, tha për Zërin e Amerikës, Shi Yinhong, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Renmin të Pekinit.
“Ka ende katër muaj deri në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe gjashtë muaj përpara se administrata tjetër të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë asaj periudhe kohore, (Presidenti) Trump pa dyshim që do të bëjë shumë lëvizje të tjera për të përkeqësuar marrëdhëniet midis dy vendeve”, parashikoi profesori.
Një risk elektoral
Zoti Shi beson se mbyllja e konsullatës në Houston nuk synon vetëm provokimin e Kinës, por se është një risk i ndërmarrë nga Presidenti Trump për ta ndalur rënien e tij në anketime.
Zoti Shi tha se Kina i gjen të pabazuara akuzat e bëra nga Departamenti amerikan i Shtetit – megjithëse administrata Trump tha se mbyllja e konsullatës në Houston ishte plotësisht e justifikueshme.
David Stilwell, i cili është përgjegjës për politikën e jashtme për Azinë Lindore dhe Paqësorin në Departamentin e Shtetit, i tha të mërkurën gazetës “The New York Times” se konsullata në Houston kishte një historik të përfshirjes në “sjellje dëmtuese” dhe se ishte epiqendra e vjedhjeve të kërkimeve shkencore në Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se Konsulli i Përgjithshëm Cai Wei dhe dy diplomatë të tjerë kinezë u kapën duke përdorur identitete të rreme më 31 maj për të shoqëruar disa udhëtarë kinezë në zonën e nisjes së një avioni privat nga një aeroport në Houston.
Spiunazh dhe vjedhje të zbulimeve shkencore
Zoti Stilwell shtoi se disa nga përpjekjet e Kinës për të vjedhur zbulimet shkencore në Shtetet e Bashkuara ishin përshpejtuar në gjashtë muajt e fundit dhe mund të lidheshin me përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë për koronavirusin, thuhet në gazetën “The New York Times”.
Në përgjigje, Konsulli kinez Cai mohoi pretendimin në një intervistë me KTRK-TV në Houston. “Ku janë provat?”, pyeti ai. Ai e quajti zyrtarin amerikan një gënjeshtar.
Përballje të stilit të Luftës së Ftohtë
Shtetet e Bashkuara janë përplasur në mënyrë të përsëritur me Kinën për çështjet e tregtisë dhe pronësisë intelektuale, për të cilat zoti Sang në Hong Kong tha se nuk do të marrin fund lehtë, pasi konfrontimet e stilit të luftës së ftohtë midis dy vendeve vazhdojnë të shfaqen.
Ekzistojnë spekulime se Shtetet e Bashkuara mund të mbyllin konsullatën e Kinës në San Françisko, Kaliforni, sepse një studiuese kineze, e akuzuar nga FBI-ja për fshehjen e lidhjeve të saj me ushtrinë kineze, është strehuar brenda këtij objekti.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin tha në një konferencë të rregullt për shtyp se konsullata e Kinës në Houston ka bërë punë pozitive në 40 vitet e fundit, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara pretenduan se Konsullata e Kinës në Houston ishte e angazhuar në veprimtari të papajtueshme me statusin e saj, që është plotësisht një shpifje keqdashëse”.
Ai shtoi se mbyllja e konsullatës “dëmton rëndë marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe po prish urën e miqësisë mes dy palëve.”
Pasojat e mundshme
Investuesit në Kinë dhe Hong Kong janë të shqetësuar se mbylljet e konsullatave mund të çojnë në prerjen e lidhjeve zyrtare nga Shtetet e Bashkuara, ose në një shkëputje të ardhshme ndërmjet ekonomisë amerikane dhe asaj kineze, sipas Liao Qun, krye-ekonomist në “China CITIC Bank International Ltd”.
Niveli i pasigurisë përbën lajm të keq për investimet, tha ai.
Nëse tensionet përshkallëzohen, “kapitali mund të largohet nga Hong Kongu dhe Kina. Për më tepër, tregtia globale do të ndikohet shumë. Nëse Shtetet e Bashkuara ndërpresin lidhjet me Kinën, pakti i tyre tregtar i fazës së parë do të shfuqizohet, çka do të de-stabilizojë dinamikën (globale) të tregtisë. Pra, gjithçka varet nga ajo që vjen më pas”, tha zoti Liao./ VOA
The post Shtëpia e Bardhë paralajmëron Kinën: Jo veprime për hakmarrje appeared first on Vizion Plus.