Një nga bandat më të mëdha të trafikut të drogës në Madrid të Spanjës u shkatërrua këtë të diel nga policia. Mediat spanjolle shkruajnë se gjatë megaoperacionit u sekuestruan 600 kg kokainë, 20 vetura luksoze mes të cilave edhe një “Ferrar” i kuq, armë dhe një shpatë japoneze.
Vlera totale e sendeve të sekuestruara arrin në 700 mijë euro, sipas policisë spanjolle. Anëtarët e bandës i drejtoheshin njëri-tjetrit me emra të koduar. Kode ata përdornin edhe kur flisnin për apartamentet në të cilat fshihnin kokainë.
Drejtuesi i bandës është nga Maroku dhe ai mbante kontakte me bandat e tjera në Kolumbi, Marok, Spanjë dhe Evropën Veriore
“Kjo është organizata më e madhe e trafikut të kokainës në kryeqytetin spanjoll”, vlerësoi policia.
Në një video të publikuar nga autoritetet vihet re sesi oficerët e policisë nxjerrin një çantë shpine plot me para, fshehur në tavanin e një apartamenti.