Rifillimi nuk u duk aspak keq, me atë që pritej. E vërtetë që pati më pak ndërhyrje të ashpra dhe dyluftime, po ashtu më pak tentativa për driblim, por kjo nuk ishte treguesi se futbollistët e Bundesligës ishin më të dobët fizikisht sesa 3 muaj më parë.
Ndërprerja e gjatë mund të ketë ndikuar, dakord, por kur vjen puna tek “njësia matëse” më e mirë, kilometrat e përshkuar, nuk pati ndryshim. Statistikat flasin se lojtarët e kampionatit gjerman mbuluan të njëjtën distancë, si 3 muaj më parë.
Zyrtarisht kemi rreth 230 kilometra vrapim për ndeshje, në krahasim me 232 kilometra që ishte në mars.
Shqetësimi ishte i madh për mungesën e përgatitjes së skuadrave, për shkak se kohës më të kufizuar se zakonisht për t’u stërvitur, ndonëse lojtarët e kampionatit gjerman ishin në pozicion më të mirë se gjithë futbollistët e ligave të tjera, pasi patën mundësi për seanca të paktën për 1 muaj.
Ekzistonte mendimi se ritmi i ndeshjeve do të ishte më i ulët dhe ndoshta kjo u shfaq sadopak, por sidoqoftë përderisa u vrapua njësoj do të thotë se përgatitja fizike ishte në nivel të mirë. Edhe dëmtimet nuk ishin shumë të mëdha, të paktën flasim për ato lëndime që i lënë lojtarët disa kohë jashtë fushave të lojës.
Duke vazhduar me krahasimet, kemi 436 vrapime të shpejta (apo sprinte) për ndeshje fundjavën e kaluar, në krahasim me 440 që ishin në mars, 30.5 ndërhyrje për ndeshje në krahasim me 33.5, dhe 29 driblime për ndeshje, në krahasim me 38.5. Golat janë pak më poshtë në krahasim me marsin, pasi në fundjavë pati 2.75 rrjeta për ndeshje, në krahasim me mesataren 3.25 deri në ndërprerje.