Bujar Kapexhiu e konsideron prishjen e teatrit si një tradhti dhe ajo që u bë me artistët egërsi.
I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Kapexhiu u shpreh se për prishjen e Teatrit duhet të ishin konsultuar me artistët edhe me atë që ishin pro edhe me ata që ishin kundër dhe më pas të vendosej.
Bujar Kapexhiu: Kjo që ndodhi është një nga shëmtitë e radhës që ka ndodhur në këto 30 vjet demokraci. Të shumta kanë qenë, por kjo i vuri vulën.
Kjo ndodhi në mënyrë shumë të beftë. E bënë në pabesi. Ishte një tradhti. Pse? Në momentin që ishin krijuar mendime ndryshe ndërhynë ndërkombëtarët.
Ndërkombëtarët ndërhynë për të bërë një tjetër bisedë, për të hyrë në një marrëveshje mes artistëve që ishin pro dhe kundër. Artistët duhet të kishin vendosur nëse duhej prishur apo nuk duhej prishur. Duhej ndërtuar apo diku tjetër.
Në zyrat e partisë u sajuan dy lista, kundra dhe pro. Në momentin e fundit kur u shpall lista pro shembjes, filluan të dalin zëra që ne nuk kemi firmosur për shembje.
Kur filloi të rrudhosej lista, se njerëzit po largoheshin dhe do të mbeteshin shumë pak dhe emrat e vërtetë do të largoheshin nga kjo listë aty u trembën dhe thanë: Meqë dhe lista po shembet, ne të shembim teatrin.
Në mënyrë makabre, një trajtim shtazarak, egërsira që sulen drejt njerëzve. Në mënyrën më të papërshtatshme, polici nga të gjitha llojet. Aty ishin një grup artistësh, të cilët në mes të ditës mund të shkohej dhe të nxirreshin jashtë.
Paturpësia më e madhe është kur dalin shefat dhe thonë që nuk ka patur dhunë. Kjo ishte sulmi, kjo ishte goditja pastaj vinte vrasja. Aty kishte edhe njerëz me armë.
Pse e bënë befasisht? Pse nuk na mblodhën ne artistët dhe të vendosnin. Ndoshta ata që ishin kundër shembjes mund të bindeshin nga inteligjenca e grupit tjetër, nga argumentimit dhe ne mund të thonim, po, le të prishet. Ne çdo ditë bisedonim me njëri tjetrin dhe bisedonim pse duhet të jesh kundër dhe pse pro.
Në mënyrë publike ne të diskutonim, kush janë të mirat dhe kush janë të këqijat, pse duhet të ndërtohet një teatër këtu dhe pse jo diku tjetër.
Idenë e kryeministrit për ta rindërtuar Teatrin diku tjetër dhe në shërbim të fëmijëve, Bujar Kapexhiu e quan perversitet.
Bujar Kapexhiu: Plani i qeverisë për ta ndërtuar këtë godinë në një vend tjetër. Është perversitet, është absurditet për tu tallur me artistët dhe qytetarët. Absurditeti fillon këtu: Ndërtohet në 2020 një arkitekturë që këta e quajnë fashiste, për fëmijët, që fëmijët e duan modernen.
Parlamenti shqiptar i atyre burrave të mençur dhe dinjitoz u bë teatër kukullash. Kjo nuk është nga mosdija, por qëllimisht. Atë ndërtesë që kërkon ta ndërtojë për fëmijët ta ndërtojë aty ku ka qenë, siç ishte.