Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur, si pasojë e shembjes së një parkingu katërkatësh në Nju Jork, kanë thënë zyrtarët.
Kati i dytë i parkingut – në zonën financiare të Manhatanit – është shembur i pari, ka raportuar rrjeti televiziv, CBS.
Në disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale është parë dëmi që u është shkaktuar makinave nga shembja.
Departamenti i Zjarrfikësve në qytetin e Nju Jorkut ka thënë se operacioni i shpëtimit ka qenë “jashtëzakonisht i rrezikshëm” për zjarrfikësit, pasi struktura ka qenë shumë “jostabile”.
“Ne kemi pasur zjarrfikësit brenda ndërtesës, duke kërkuar. Ndërtesa ka qenë duke u shembur. Mirëpo tani besojmë se të gjithë punëtorët i kemi jashtë ndërtesës”.
Kryetari i qytetit, Eric Adams, ka thënë se teknologjia e re, ka luajtur rol vital në përgjigjen emergjente.
“Dua ta theksoj, falë Zotit, ne e kemi pasur qenin robotik që ka arritur të hyjë në ndërtesë”, ka thënë ai.
Shkaku i shembjes nuk dihet ende, derisa personeli i Departamentit të Ndërtesave, është duke kryer hetime nëpër lagje, për ndonjë dëm të mundshëm./rel