Ushtria amerikane tha se ka përfunduar gati një të katërtën e tërheqjes së trupave nga Afganistani.

“Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) vlerëson se kemi përfunduar midis 16-25% të të gjithë procesit”, thuhet në një njoftim të lëshuar të martën nga qendra komanduese, e cila mbikëqyr operacionet në Afganistan.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara gjithashtu tha se kishte tërhequr pajisje dhe materiale të ngjashme me rreth 160 ngarkesa të avionëve transportues C-17 nga Afganistani dhe i ka kthyer më shumë se 10,000 pajisje Agjencisë së Logjistikës Mbrojtëse.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi muajin e kaluar se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani deri më 11 shtator, pas një angazhimi gati 20 vjeçar ushtarak në vendin e shkatërruar nga lufta.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Në kohën kur u bë njoftimi i Presidentit Biden, të paktën 2,500 trupa amerikane ishin pjesë e misionit të NATO-s në Afganistan, i cili përbëhej nga më pak se 10,000 trupa. Tërheqja e forcave të NATO-s të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar frikë se lufta civile në Afganistan mund të intensifikohet dhe të dalë jashtë kontrollit.

Civilë afganë janë vrarë në një varg sulmesh që nga 1 maji, kur Shtetet e Bashkuara filluan zyrtarisht tërheqjen e trupave, dhe Talibanët kanë zgjeruar territoret e tyre në të gjithë vendin, duke përfshirë provincën Baghlan në veri, provincën Helmand në jug, provincën Farah në perëndim dhe atë të Laghmanit në lindje./VOA