Edhe qyteti strategjik Gazni, që lidh Kabulin me Kandaharin, ra në duart e kryengritësve talebanë të cilët po përshpejtojnë pushtimin e territoreve në Afganistan. Ky është alarmi më kërcënues për dorëzimin e kryeqytetit.
Pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kabul, Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr delegacionet e trupit diplomatik duke lënë vetëm personelin jetik. Për të ndihmuar evakuimin e tyre, Ëashingtoni ka dërguar 3000 trupa shtesë.
Vendimi reflekton humbje besimi nga administrata e Presidentit Biden në aftësinë e qeverisë afgane për të ofruar mbrojtjen e nevojshme për misionin diplomatik amerikan në Kabul, ndërkohë që talebanët vazhdojnë përparimin dhe kanë marrë gjatë ditëve të fundit një numër qytetesh të rëndësishme. Pentagoni ka mbajtur 650 trupa në Afganistan për të ofruar siguri shtesë për misionin diplomatik.
Një zëdhënës i kryengritësve deklaroi në negociatat në Doha, se marrja e shpejtë e qyteteve tregon, se populli i mirëpret talebanët. Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, bashkësia ndërkombëtare nuk do të njohë një qeveri të re afgane, nëse ata e marrin pushtetin me dhunë. Me këto tone është shprehur edhe i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Josep Borrell.