SHBA nuk angazhohet për anëtarësimin në NATO të Ukrainës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
SHBA nuk angazhohet për anëtarësimin në NATO të Ukrainës

Shtetet e Bashkuara riafirmuan të martën angazhimin ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, por nuk ofruan mbështetje publike për një proces të përshpejtuar anëtarësimi në NATO.

“E kemi diskutuar këtë aspiratë prej kohësh me Ukrainën”, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kur u pyet për përpjekjet më të fundit të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.

“Ne jemi mbështetësit e tyre të fortë”, shtoi ajo. “Por, ky është një vendim që duhet ta marrë NATO”.

Ukraina, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë, ka shprehur shqetësimin për lëvizjet e forcave ruse në ditët e fundit përgjatë kufirit ukrainas, të cilat shihen si një përpjekje për të frikësuar Kievin.

Advertisement

Gjatë telefonatave më herët të martën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje aleancës t’i dërgojë një mesazh Moskës duke e lejuar Ukrainën të anëtarësohet.

“Vetëm reformat nuk do ta ndalojnë Rusinë”, shkruajti zoti Zelenskiy në Twitter pas telefonatës me zotin Stoltenberg. “@NATO është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës në #Donbas”, tha ai, duke iu referuar rajonit në Ukrainën lindore, pjesë të së cilit kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

“MAP i Ukrainës (Plani i Veprimit të Anëtarësimit) do të jetë një sinjal i vërtetë për Rusinë”, shtoi zoti Zelenskiy.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes të martën nuk pranuan të komentojnë mbi kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në NATO, megjithëse shprehën shqetësim të vazhdueshëm për veprimet e Rusisë.

Advertisement

“Ne vazhdojmë t’i shohim forcat ruse të grumbulluara përgjatë kufirit me Ukrainën, veçanërisht në Krime, më shumë drejt juglindjes”, u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby, duke i quajtur lëvizjet ruse shqetësuese.

“I bëjmë thirrje Rusisë t’i bëjë më të qarta qëllimet e saj për atë çfarë po bëjnë me këtë mori forcash përgjatë kufirit”, tha zoti Kirby.

“Vazhdojmë të bëjmë thirrje për armëpushimet e parashikuara edhe nga Marrëveshja e Minskut … dhe për të qetësuar situatën”, tha ai.

Ukraina thotë se goditjet me artileri nga forcat pro-ruse në Donbas kanë vrarë 24 ushtarë këtë vit dhe tetë gjatë vetëm dy javëve të fundit.

Advertisement

Rusia ka mohuar se lëvizjet e saj ushtarake paraqesin një kërcënim për Ukrainën.

Gjatë një vizite në Indi të martën, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov përshkroi deklaratat e fundit nga Kievi si shqetësuese dhe tha se Rusia kishte kontaktuar vendet e tjera evropiane.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov akuzoi gjithashtu Kievin për përpjekjen për të destabilizuar më tej situatën.

“Deri më tani nuk po shohim një synim nga pala ukrainase për t’u qetësuar disi dhe për t’u larguar nga temat agresive”, tha zoti Peskov.

Advertisement

Separatistët në Donbas kanë luftuar me forcat ukrainase që kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina në 2014.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore akuzojnë Rusinë për armatosjen e separatistëve dhe dërgimin e trupave ruse për t’i ndihmuar përpjekjet e tyre./ VOA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy