Hendeku në partinë republikane lidhur me ish-presidentin Donald Trump u thellua të martën pasi disa senatorë të kësaj partie kritikuan Komitetin Kombëtar Republikan (RNC) për censurimin e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Kinzinger dhe Liz Cheney javën e kaluar.
Zoti Kinzinger dhe zonja Cheney, ndryshe nga pjesa më e madhe e partisë së tyre, kanë kritikuar pretendimet e rreme të zotit Trump për manipulime në zgjedhjet e vitit 2020 dhe rolin e tij në inkurajimin e kryengritjes së 6 janarit 2021 në Kapitol.
Komiteti Republikan përdori si argument në rezolutën kundër anëtarëve të Kongresit Kinzinger dhe Cheney pjesëmarrjen në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për ngjarjet e 6 janarit, duke thënë se ata po merrnin pjesë në “persekutimin e qytetarëve të zakonshëm të përfshirë në debat legjitim politik”.
Komisioni i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve ka bërë përpjekje intensive për të siguruar informacionin e nevojshëm mbi planifikimin dhe kryerjen e sulmit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, duke dërguar kërkesa me detyrim për dëshmi ndaj ish-zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe ish-zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Por disa senatorë republikanë thonë se RNC nuk ka të drejtën të diktojë pikëpamjet personale të anëtarëve.
“Tradicionalisht Komiteti Kombëtar i partisë mbështet të gjithë anëtarët e partisë sonë, pavarësisht nga qëndrimet e tyre për disa çështje,” u tha gazetarëve të martën kreu i pakicës republikane në Senati Mitch McConnell.
Zoti McConnell i përshkroi ngjarjet e 6 janarit si “një kryengritje e dhunshme” që synonte të pengonte transferimit paqësor të pushtetit. Në shkurt të vitit të kaluar, senatori McConnell votoi kundër shkarkimit të ish-presidentit Trump lidhur me akuzën për nxitjen e asaj kryengritjeje.
Senatori republikan Mitt Romney u tha gazetarëve të hënën se ai i kishte dërguar mesazh mbesës së tij, Ronna McDaniel, e cila kryeson RNC-në, për të shprehur shqetësimin e tij për masën e miratuar. Zoti Romney ishte një nga shtatë senatorët republikanë që votuan në shkurt 2021 pro shkarkimit të zotit Trump.
Zonja Cheney u shkarkua nga një pozicion drejtues në Konferencën Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve vitin e kaluar pas kritikave të saj ndaj pretendimeve të rreme të ish-presidentit Trump lidhur me zgjedhjet e vitit 2020. Anëtarja e Kongresit, Elise Stefanik, e cila zëvendësoi zonjën Cheney si kryetare e konferencës, mbrojti të martën vendimin e Komitetit Republikan.
“RNC ka të drejtën të ndërmarrë çfarëdo veprimi dhe qëndrimi im është se në fund të fundit ne u përgjigjemi votuesve të zonave tona, votuesve që përfaqësojmë. Dhe reagimet dhe pikëmamjet e votuesve do t’i dëgjojmë shumë shpejt këtu këtë vit,” tha zonja Stefanik në një konferencë shtypi, duke iu referuar zgjedhjeve për Kongresin në nëntor.
Roli i zotit Trump në Partinë Republikane pritet të jetë një çështje kyçe e atyre zgjedhjeve ku republikanët do të përpiqen të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit nga demokratët.
Në deklaratën e RNC-së që u miratua njëzëri të premten, thuhet se Komiteti do të ndërpresë çdo mbështetje për zotin Kinzinger dhe zonjën Cheney “si anëtarë të Partisë Republikane për sjelljen e tyre që ka dëmtuar rëndë institucionin e Dhomës së Përfaqësuesve, Partisë Republikane dhe republikës sonë, dhe bie ndesh me qëndrimin e Konferencës.”
Mungesa e mbështetjes nga RNC-ja mund të mos përbëjë shqetësim të madh për zonjën Cheney, e cila kohët e fundit njoftoi se kishte mbledhur më shumë se 7 milionë dollarë vitin e kaluar për fushatën e saj për rizgjedhje në nëntor, sipas televizionit CNN. Konkurrenti i saj më i afërt për rikandidim ka mbledhur 745,000 dollarë.
Ajo dhe zoti Kinzinger janë ndër 10 republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për shkarkimin e ish-presidentit Trump vitin e kaluar për rolin e tij në ngjarjet e 6 janarit.
Por sondazhet tregojnë se shumica e votuesve republikanë i shohin ngjarjet e asaj dite shumë ndryshe. Sipas një sondazhi të dhjetorit 2021, 45% e republikanëve e konsiderojnë 6 janarin një protestë politike, ndërsa 89% e demokratëve e konsiderojnë atë një kryengritje.
Disa senatorë republikanë i kanë minimizuar ato ngjarje, përfshirë senatorin Ron Johnson nga Uiskonsini, i cili e përshkroi atë si një “protestë paqësore”. Shumë republikanë kanë kritikuar gjithashtu komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve të krijuar nga kryetarja demokrate e Dhomës Nancy Pelosi për të hetuar ngjarjet e asaj dite, duke e karakterizuar atë si tepër të politizuar.
Sulmi më i rëndë ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara që prej dy shekujve vonoi certifikimin e fitores së presidentit aktual Joe Biden për disa orë dhe shkaktoi vdekjen e pesë personave./VOA