Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka fyer SHBA-në dhe presidentin e saj, Joe Biden, duke e quajtur të korruptuar.
Kjo shfryrje e mllefit të Dodikut, një zyrtar që po synon të shkëpusë Republika Srpskan nga pjesa tjetër e Bosnjës, vjen pasi ndaj tij dhe disa zyrtarëve të tjerë të këtij vendi u vunë sanksione nga SHBA-ja.
Ai i quajti gënjeshtar amerikanët dhe shprehet se “do të kundërpërgjigjet”.
“SHBA-ja është e madhe, por gjithashtu është edhe një gënjeshtër e madhe. Kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Bosnjës” tha Dodik, pasi mbajti një mbledhje me partinë e tij SNDS të mërkurën mbrëma.
Ai tentoi që këtij vendimi të SHBA-së t’i jep konotacion edhe fetar, që është shumë prezent në Bosnjë, ku jetojnë myslimanë, sllavë e katolikë.
“SHBA-ja po mbështet myslimanët. Ata duan të krijojnë një shtet për myslimanët. Është e pabesueshme që qeveria e SHBA-së mund të gënjejë kaq shumë. Sa për amerikanët, më mbetet vetëm të pres që ata të më vrasin. Unë po i them publikut se nëse kjo ndodh, dua që ata të thonë se është bërë nga amerikanët, me ndihmën e britanikëve”, Dodik.
Ai akuzoi gjithashtu presidentin amerikan për korrupsion. “Nuk e kam të qartë se si presidenti amerikan Joe Biden është i angazhuar në luftën kundër korrupsionit kur dihen aferat korruptive të familjes Biden”, tha Dodik.