Departamenti amerikan i Drejtësisë paraqiti një mocion urgjent tek një gjykatës federal, duke i kërkuar të bllokojë Teksasin që të nisë zbatimin e një ligji të ri, që ndalon pothuajse të gjitha abortet në këtë shtet.
Në një dokument prej 45 faqesh, të paraqitur të martën në mbrëmje në një gjykatë federale të këtij rrethi, Departamenti i Drejtësisë argumentonte se ligji i ri, ishte hartuar “për të parandaluar gratë që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese” për të kryer abort.
Mocioni urgjent është veprimi i dytë ligjor që ndërmerr administrata Biden kundër ligjit të ri të Teksasit, pas një padie javën e kaluar që paraqiste të njëjtat argumente ligjore.
Ligji i ri, i cili hyri në fuqi më 1 shtator, ndalon abortet pas javës së gjashtë të shtatzënisë. Kundërshtarët thonë se gjatë kësaj periudhe shumica e grave nuk e kanë mesuar ende se janë shtatzënë.
Ligji gjithashtu nuk bën përjashtime as për rastet e shtatzënive që rezultojnë si pasojë e përdhunimit apo incestit.
Teksasi është ndër një 12 shtetet, kryesisht të udhëhequra nga republikanët, që kanë miratuar ligje që ndalojnë abortin pasi ndihen “rrahjet e zemrës se fetusit”, që shpesh ndodh në javën e gjashtë të shtatzanisë, dhe nganjëherë edhe përpara se një grua ta kuptojë se është shtatzënë.
Në të shkuarën gjykatat i kanë bllokuar vendimet e kësaj natyre, duke thënë se bien në kundërshtim me vendimin historik të Gjykatës së Lartë të vitit 1973, në atë që njihet si rasti Roe kundër Wade, që u ka dhënë grave të drejtën kushtetuese për abort, pa ndërhyrjen e tepërt të qeverisë.
Ligji i Teksasit kundër abortit është gjithashtu i pazakontë pasi u jep qytetarëve fuqinë të padisin ata që ofrojnë shërbime aborti dhe këdo që “ndihmon ose përkrah” një abort pas gjashtë javësh. Fituesit e padisë gëzojnë të drejtën të marrin rreth 10,000 dollarë. Departamenti i Drejtësisë e cilësoi këtë dispozitë të ligjit “një skemë të pashembullt që kërkon t’u mohojë gratë dhe ofruesve të shërbimi të abortit, mundësinë ta sfidojnë atë në gjykatën federale”.
Gjykata e Lartë nuk pranoi të bllokojë shtetin e Teksasit që të nisë zbatimin e ligjit të ri kundër abortit në një vendim 5 me 4 në fillim të këtij muaji. Vendimi nxiti kritika të përkrahësve të të ashtuajturit vendimi Roe kundër Wade, sikurse edhe të Presidentit Joe Biden, i cili tha se tashmë “persona krejt të huajt do të kenë në dorë të ndërhyjnë në vendimet tejet private e personale që lidhen me shëndetin e grave”.