Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka hedhur poshtë raportimet e mediave se Shtetet e Bashkuara synojnë të transferojnë në Kosovë afganët të cilët janë konsideruar të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara.
Përmes një deklarate, kjo ambasadë ka thënë se disa raportime të mediave ka krijuar përshtypje të pasaktë te lexuesit se “Shtetet e Bashkuara synojnë të transferojnë në Kosovë individë të cilët autoritetet amerikane i kanë konsideruar të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara”.
“Kjo nuk qëndron”, thotë ambasada.
Disa media amerikane, përfshirë AP, më herët kanë raportuar se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të dërgojnë në Kosovë një numër afganësh ndaj të cilëve duhet të bëhet disa verifikime shtesë.
Sipas ambasadës amerikane, procesi përmes të cilit afganët aplikojnë për viza të veçanta emigruese ose status refugjati në SHBA është kompleks.
“Disa aplikantë janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit të SHBA-ve”, thuhet në deklaratë.
Agjencia AP duke cituar një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti raportoi se SHBA-ja do të përdorë kampin ushtarak, Bondsteel, që strehon ushtrinë amerikane pranë kryeqytetit të Kosovës për shqyrtimin dhe verifikimin e mëtejshëm të të evakuuarve.
Më 16 gusht Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar një numër afganësh që kanë punuar me forcat e huaja gjatë 20 vjetësh të luftës në Afganistan dhe të cilët ndjehen të pasigurtë nën sundimin e talibanëve, që e morën kontrollin e Afganistanit, pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë dhe të vendeve aleate.
Deri më tani në Kosovë janë strehuar 467 shtetas afganë dhe ata janë vendosur në ish-kampin e “Bechtel Enkas”, në afërsi të Ferizajt.
Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së dhe NATO-s./ R.E.L