Shtetet e Bashkuara kanë kryer ekzekutimin e parë të një gruaje të dënuar me vdekje në gati shtatë dekada.
Lisa Montgomery, 52 vjeç, u ekzekutua përmes një injeksioni vdekjeprurës në shtetin e Indianas, më 13 janar.
Montgomery, u dënua në vitin 2007 në shtetin e Misurit për rrëmbimin dhe mbytjen e një gruaje tjetër që ishte tetë muaj shtatzënë në atë kohë. Ekipi ligjor i Montgomery ka thënë se ajo vuan nga sëmundje mendore.
“Dëshira për gjak e një administrate të dështuar është shfaqur e plotë sonte”, tha avokatja e saj, Kelley Henry, pas ekzekutimit të Montgomeryt.
“Të gjithë ata që morën pjesë në ekzekutimin e Lisa Montgomery duhet të ndiejnë turp”, tha ajo.
Ekzekutimi shënoi herën e parë që qeveria amerikane zbatoi dënimin me vdekje për një të burgosur femër që nga viti 1953.
Ekzekutimet federale në Shtetet e Bashkuara ishin ndaluar për 17 vjet përpara se presidenti në largim, Donald Trump, vitin e kaluar të urdhërojë rifillimin e tyre.
Sipas një baze të dhënash të përgatitur nga Qendra e Informacionit për Dënimin me Vdekje, qeveria amerikane ekzekutoi 10 persona vitin e kaluar. Kjo është hera e parë që qeveria federale kreu më shumë ekzekutime sesa të gjitha shtetet e SHBA-së së bashku.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, i cili do të inaugurohet më 20 janar, pritet të ndërpresë ekzekutimet federale./R.E.L