Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë evakuimin e sa më shumë qytetarëve amerikanë dhe bashkëpunëtorëve afganë në javët e ardhshme, tha të martën zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
“Ne do të punojmë shumë në javët e ardhshme për të nxjerrë sa më shumë prej tyre jashtë vendit”, tha ai.
Në një intervistë për CNN, ai tha se Shtetet e Bashkuara nga Kabuli mund të evakujnë midis 5.000 dhe 9.000 njerëz në ditë.
Tre baza ushtarake amerikane janë të përgatitura për të pranuar deri në 22.000 aleatë afganë në javët e ardhshme, shtoi ai.
Në një intervistë për ABC News, Kirby tha se më shumë se 700 njerëz, përfshirë më shumë se 150 qytetarë amerikanë, u evakuuan në 24 orët e fundit.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të përfunduar këtë tërheqje në një mënyrë të sigurt dhe të rregullt”, tha Kirby për një medium tjetër amerikan, MSNBC.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talebanëve.
Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talebanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.
Talebanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi.
Të martën është raportuar për një situatë më të qetë derisa evakuimet e personelit të huaj dhe civilëve po vazhdojnë./ REL