Shtetet e Bashkuara dhe Franca i kanë bërë thirrje Libanit që të formojë një qeveri të re dhe të sigurohet për “rezultate të shpejta” për hetimin lidhur me shpërthimin vdekjeprurës që ndodhi në portin e Bejrutit gjashtë muaj më parë.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar më 4 shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian thanë se Libanit i duhet një “qeveri të besueshme dhe efektive” për të zbatuar reformat, në mënyrë që të ketë mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë.
Blinken dhe Le Drian thanë se presin që hetimi mbi shpërthimin e 4 gushtit, të vitit 2020, të jetë një hetim transparent dhe “pa asnjë ndikim politik”.
Qeveria e Libanit dha dorëheqjen pas shpërthimit të fuqishëm në portin e Bejrutit, që la të vrarë mbi 200 persona dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale. Shpërthimi u shkaktua nga tonelata të nitratit të amonit, që ishte ruajtur në mënyrë joadekuate në këtë port.
Pavarësisht premtimeve se do të hetohet se si ky komponent është ruajtur në portin e Bejrutit për vite me radhë, autoritetet ende nuk e kanë sqaruar se kush e solli këtë sasi të kësaj substance në port dhe kush e kontrolloi atë./ Rel