Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Iranit që të ndalë transferimin e sasisë së “paprecedent” të armëve për rebelët jemenas, Huthi, që u mundësojnë atyre të kryejnë “sulme të pamatura” ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe gjetkë.
Zëvendësambasadori amerikan, Robert Wood, tha se nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dëshiron të bëjë përparim drejt dhënies fund të luftës civile në Jemen, duhet që në mënyrë kolektive “ta bëjë të qartë rolin destabilizues të Iranit dhe të insistojmë se ai nuk mund të fshihet prapa rebelëve Huthi”.
Ai tha se ka dëshmi të shumta që vërtetojnë se Irani u jep rebelëve Huthi armë të avancuara, përfshirë raketa balistike dhe lundruese. Kjo, sipas Wood, është në kundërshtim me sanksionet e vendosura nga OKB-ja.
“Për të nënvizuar shqetësimin e Këshillit sa i përket shkeljeve të vazhdueshme të embargos së armëve, ne duhet të bëjmë më shumë që të mos shmangen sanksionet dhe t’i ndalim shkelësit e tyre”, tha Wood.
Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit synojnë t’i bëjnë presion Izraelit që t’i japë fund luftës së tij ndaj Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, që ka lënë të vrarë më shumë se 35.000 palestinezë.
Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Rebelët Huthi, që nga nëntori i vitit të kaluar, kanë kryer mbi 50 sulme ndaj anijeve, kanë kapur një anije dhe kanë fundosur një tjetër, thanë autoritetet detare amerikane muajin e kaluar.
Javëve të fundit janë pakësuar sulmet e rebelëve, pasi ata janë goditur nga fushata e sulmeve ajrore në Jemen, që udhëhiqet nga SHBA-ja.
Për shkak të rrezikut nga sulmet e rebelëve, kalimi i anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit është rralluar.