Kina ka miratuar një ligj të ri të sigurisë kombëtare për Hong Kongun që kritikët thonë se kërcënon statusin gjysmë autonom të qytetit. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një raport për Kongresin tha se Hong Kongu “nuk vazhdon të ketë të garantuar trajtimin” sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, një veprim që mund të nënkuptojë pezullimin e statusit të tij të preferuar tregtar.
Asambleja Kombëtare e Kinës miratoi me 2,878 vota për dhe një kundër një rezolutë për të imponuar ligje të reja të sigurisë kombëtare në Hong Kong.
Kina thotë se qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe ndëshkimi i akteve të shkëputjes dhe subversionit.
Por kritikët thonë se ligji është krijuar për të shtypur protestat paqësore që kanë sfiduar Presidentin kinez Xi Jinping.
“Jam kundër ligjit të sigurisë sepse ai shkatërron Hong Kongun. Ne nuk kemi asnjë liri, nuk kemi liri të fjalës, asgjë”, thotë Julie Lee, banore e Hong Kongut.
Shtetet e Bashkuara mbështesin banorët e Hong Kongut, tha për Zërit të Amerikës Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.
“Kjo është një ditë e trishtuar sepse kemi parë një premtim tjetër bosh, një tjetër premtim ndaj botës të shkelur nga Partia Komuniste Kineze. Dhe së fundmi ne kemi bërë një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, dhe vende të tjera për këtë duke e quajtur ashtu siç është. Ky është një sulm kundër njerëzve liridashës në të gjithë botën.”
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi gjithashtu dënoi udhëheqësit e Kinës.
“Është një veprim i pacipë. Hong Kongu është një pjesë e rëndësishme e tregtisë jetike që shkon në territorin e Kinës. Do të ishte logjike të mendonit që ata do të dëshironin që kjo tregti jetike të vazhdonte. Por Presidenti Xi është një tiran shtypës”.
Ekziston një frikë se ligji i ri, nëse zbatohet, do t’i japë Kinës një justifikim për të ndjekur penalisht njerëzit për veprime që tani janë normale.
“Për shembull, kritika ndaj qeverisë kineze, kritika ndaj Partisë Komuniste do të konsiderohej rebelim dhe njerëzit do të mund të burgosen për këtë. Kështu që kjo vërtet është një tallje me shtetin e së drejtës dhe autonominë”, tha Mike Gonzales, ekspert në Fondacionin Heritage.
Shtetet e Bashkuara janë një nga partnerët kryesor tregtar të Hong Kongut dhe një nga burimet më të mëdha të investimeve direkte.
Me deklaratën e Uashingtonit se Hong Kongu nuk është më autonom, që mund të rezultoj në humbjen e statusit të partnerit të preferuar tregtar, ekspertët thonë se kjo mund të ketë një ndikim të rëndë mbi qendrën e gjallëruar financiare dhe njerëzit e saj, të cilët janë mësuar të shijojnë liritë themelore dhe një standard të lartë jetese.