SHBA bën thirrje për ndihmë të menjëhershme për sirianët në nevojë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
SHBA bën thirrje për ndihmë të menjëhershme për sirianët në nevojë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i bëri thirrje të hënën Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të autorizojë më shumë pika kalimi kufiri për shpërndarjen e ndihmës humanitare në Siri, ku rreth 13.4 milion njerëz kanë nevojë për të.

“Këshilli i Sigurimit përballet me shumë sfida të ndërlikuara, por kjo nuk është njëra prej tyre,” u tha zoti Blinken anëtarëve të këshillit. “Jeta e njerëzve në Siri varet nga marrja e ndihmës urgjente. Duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për bërë të mundur që ndihma të shkojë tek ata – të hapim korridore ndihmash, jo t’i mbyllim ato.”

Shtetet e Bashkuara kanë presidencën e Këshillit të Sigurimit këtë muaj dhe zoti Blinken kryesoi diskutimin mujor për situatën humanitare në Siri, e cila këtë muaj hyri në dekadën e dytë të luftës civile.

Në korrik, këshilli prej 15 vendesh do të duhet të vendosë nëse do të mbajë të hapur apo të mbyllë pikën e fundit të kalimit nga Turqia në Siri për transferimin e furnizimeve humanitare. 1.000 kamionë të mbushur me ndihma që kalojnë çdo muaj përmes Bab al-Hawas, sigurojnë mbijetesën për 4 milion njerëz në veriperëndim të Sirisë, zonë që është jashtë kontrollit të qeverisë.

Advertisement

Në 14 muajt e fundit Kombet e Bashkuara kanë humbur tre nga katër pikëkalimet kufitare që përdornin për të dërguar ndihmë humanitare në Siri nga vendet fqinje. Për shkak të kundërshtimeve dhe pengesave nga Rusia dhe Kina në mbështetje të qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad në Këshillin e Sigurimit, autorizimet për ato kalime nuk u rinovuan.

Rusia tashmë ka sinjalizuar se nuk është e interesuar të rinovojë autorizimin për vendkalimin Bab al-Hawa, përkundrazi ka mbështetur kërkesën e regjimit të Asadit që të gjitha ndihmat të shpërndahen nga Damasku përtej linjave të konfliktit. Por OKB-ja dhe partnerët e saj të ndihmës thonë se dërgesat që kalojnë nëpër linjat e brendshme të konfliktit kanë qenë të pamjaftueshme dhe i japin mundësi regjimit të përcaktojë se ku shkon ndihma.

“Qasja e tanishme është e pajustifikuar, joefektive, e pambrojtshme. Ajo po sjell si rezultat drejtpërdrejt rritjen e vuajtjeve të popullit sirian,” tha Sekretari Blinken.

“Pra, më lejoni të propozoj një qasje tjetër, le të autorizojmë të dy pikat kufitare që janë mbyllur dhe të riautorizojmë një pikë kufitare që mbetet e hapur”.

Advertisement

Të martën, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë një konferencë donatorësh për Sirinë, në përpjekje për të mbledhur më shumë se 10 miliardë dollarë për përpjekjet humanitare.

Kjo përfshin të paktën 4.2 miliardë dollarë për ndihmë brenda Sirisë dhe 5.8 miliardë dollarë për të mbështetur refugjatët dhe komunitetet qç po I mbajnë ata në rajon. Vitin e kaluar, bashkësia ndërkombëtare premtoi 5.5 miliardë dollarë për të ndihmuar sirianët në nevojë. Shtetet e Bashkuara janë kontribuuesi më i madh i ndihmës humanitare në Siri.

Pas takimit në Siri, Sekretari Blinken u takua virtualisht me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

“Bashkëpunimi midis Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara është me të vërtetë kritik për punën tonë të përbashkët,” tha zoti Guterres përpara takimit të tyre.

Advertisement

“Angazhimi dhe kontributi i Shteteve të Bashkuara janë thelbësore për të zgjidhur shumë sfida serioze globale me të cilat përballemi – duke filluar nga pandemia COVID-19.”

Departamenti i Shtetit tha se të dy zyrtarët e lartë diskutuan një numër çështjesh të ngutshme globale, përfshirë konfliktin në Siri, përpjekjet për të negociuar një zgjidhje politike midis qeverisë dhe Talibanëve në Afganistan dhe qeverinë e re të përkohshme në Libi./ VOA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy