Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po mbron politikën e jashtme të Presidentit Joe Biden, ndërsa administrata përballet me kritika të ashpra lidhur me trajtimin e migrantëve haitianë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, tërheqjen amerikane nga Afganistani si dhe një marrëveshje për nëndetëse bërthamore me Australinë që zemëroi Francën.
Presidenti Joe Biden i tha Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se bota është në një pikë kthese, ndërsa u zotua të kalojë nga një epokë e “luftërave të pamëshirshme” në një epokë të “diplomacisë së pandalshme”, me Shtetet e Bashkuara të angazhuara ndaj institucioneve shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara.
Por largimi i nxituar nga Afganistani, duke lënë pas një numër të panjohur afganësh që ndihmuan Shtetet e Bashkuara, është vetëm një nga sfidat e shumta të politikës së jashtme me të cilat është përballur Shtëpia e Bardhë gjatë javëve të fundit.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken u përball me pyetje të vështria lidhur me politikën e jashtme të Presidentit Biden gjatë një konference shtypi në Kombet e Bashkuara. Kryediplomati amerikan tha se të gjithë ata me të cilët kishte folur në OKB e kishin vlerësuar vizionin e politikës së jashtme të zotit Biden.
“Një Amerikë e vendosur për të punuar ngushtë me vendet e tjera. Një Amerikë që e kupton se asnjë nga problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat përballemi, nga pandemia, klima e deri tek ndikimi negativ i teknologjive në zhvillim, asnjë prej tyre nuk mund të trajtohet nga secili prej nesh duke vepruar i vetëm”, tha kryediplomati Blinken.
Por shumica e ekspertëve pajtohen se administrata e Presidentit Biden ka pasur disa pengesa në politikën e jashtme, përfshirë zemërimin e Francës. Zëri i Amerikës foli përmes rrjetit Skype me ekspertin Brian Katulis të Qendrës për Progres Amerikan
“Qendra e gravitetit të fokusimit të kësaj administrate të re ka qenë brenda vendit, trajtimi i pandemisë, vaksinimi dhe situata ekonomike. Një pjesë e madhe e kohës personale të presidentit, edhe pse foli në OKB ditë më parë, mendoj se ai do ta shpenzojë shumicën e kohës këtë javë duke diskutuar me Kongresin, për t’i binduar ata për planin e tij të infrastrukturës dhe rrjetin e sigurisë sociale.”
Ekspertët e tjerë thonë presidenti është shumë i përqendruar në zgjidhjen e problemeve të brendshme, në disa raste në dëm të politikës së jashtme. Aaron David Miller është me organizatën “Carnegie Endowment for International Peace”.
“Së pari, … e shpërqendron atë. E bën atë të përqendrojë vëmendjen tek ato që ai dëshiron të bëjë, që të bëhet president i ndryshimeve në vend.”
Zoti Katulis thotë se disa probleme afatgjata në Departamentin e Shtetit ka të ngjarë të kenë luajtur gjithashtu një rol.
“Mendoj se ka disa probleme institucionale, në anën civile të diplomacisë amerikane dhe Departamentit të Shtetit. Kjo nuk është diçka e re dhe as që lidhet me administratën Biden apo Trump. Është një problem i gjatë i këtyre organizatave, në thelb që nga 11 shtatori, duke u lënë në hije si nga Pentagoni ashtu edhe nga agjencitë e zbulimit”.
Kongresi gjithashtu mund të jetë pjesërisht fajtor, thotë për Zërin e Amerikës Christopher Skaluba me Këshillin e Atlantikut.
“Në Departamentin e Shtetit dhe brenda Departamentit të Mbrojtjes, mendoj se ende po vazhdon rikuperimi nga neglizhimi i viteve të zotit Trump, dhe gjithashtu për çfarëdo lloj arsyeje, po ashtu ka qënë i ngadaltë konfirmimi i drejtuesve në shumë nga këto poste. Administrata ishte disi e ngadaltë në emërimin e drejtuesve dhe tani Kongresi është shumë i ngadaltë në konfirmimin e tyre. Nëse flasim për sigurinë transatlantike në veçanti, ende nuk kemi një ambasador në NATO”.
I rritur në Paris, kryediplomati Blinken është zotuar se do të punojë shumë për të rivendosur marrëdhëniet e ngushta mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës, duke thënë se do të duhet kohë./VOA